Site icon Telegrafi

Rrëfimi motivues i Betim Bregovinës, që pavarësisht problemeve me shikimin botoi shtatë libra dhe bëri disa ekspozita

I privuar nga shikimi, por me shumë vullnet për jetën, Betim Bregovina ishte mysafiri i parë i cili ndau historinë e tij të jetës në projektin televiziv të ambasadores së vullnetit të mirë për Kosovën, Elvana Shala të titulluar “Historia ime, motiv për ty”.

Që në fëmijëri, ai kishte pasur probleme me shikimin, por vizioni për jetën dhe dëshira për të mësuar ishin të mëdha.

Asgjë nuk arriti ta ndalë Betimin të botonte shtatë libra, ku e para ishte shkuar me ndihmën e motrës së tij.

“Janë shtatë tituj që i kam botuar deri para pesë vitesh, ku katër librat e parë janë botuar sa isha ende nxënës i shkollës. Fillimisht në atë kohë kam kërkuar ndihmën, asistencën e motrës së madhe e cila i ka shkuar në një fletore, me laps, poezitë unë ia kam diktu, ku poezitë e librit të parë disa vite i kam ditur edhe përmendësh”, rrëfen ai.

Ai thotë se librat tjera i ka shkuar vet, pasi është pajisur me një kompjuter, por që fillimisht i është dashur që poezitë t’i memorizonte, pastaj t’i shkruante.

Përveç shkrimit të librave, ku ka të përgatitura edhe disa të tjera për botim, ai e ka sfiduar vetën edhe në pikturë, ku kishte edhe ekspozita e madje edhe në skulpturë.

“Përveç pikturave, kam pasur edhe skulptura por që për mungesë të një ateleje, janë shkatërruar dhe meqenëse kanë qenë një imitim i lodrave, ju kam dhuruar fëmijëve të të afërmeve për të luajtur me to”, tha ai.

Prirja e tij për të punuar në shumë fusha ka vazhduar derisa ai ende kishte një përqindje më të madhe të shikimit.

Ai tha se ka pasur raste kur edhe ka asistuar në ndërtimin e shtëpive për shkak se ka shumë dëshirë dhe i pëlqen puna me ndërtimtari dhe shumë gjëra të tjera që i bën me shumë pasion.

Ky cikël emisionesh është i bazuar në jetën personale të ambasadores Shala, ku do të trajtojë historia të veçanta motivuese dhe vetëdijesuese me persona të cilët jeta i ka sfiduar me vështirësi të ndryshme.

Emisioni do të transmetohet çdo të premte nga ora 18:20 në Radio Televizionin e Kosovës dhe në faqen e portalit Telegrafi të cilin mund ta shihni më poshtë. /Telegrafi/

Për të shikuar emisionin klikoni KËTU.

Exit mobile version