Telegrafi

Rrëfimi i Maradonas për vajzat e tij: Unë isha duke vdekur, ato blinin apartamente në Miami

Diego Armando Maradona (Foto: Hector Vivas/Getty Images/Guliver)

Diego Armando Maradona kthehet të flasë për veten. Sigurisht jo për bëmat e tij në fushën e blertë, por për shëndetin, që po e shqetëson prej kohësh.

Legjenda argjentinase është shtruar në një klinikë për t’u mjekuar nga pagjumësia. I është nënshtruar një terapie duke marrë barna për katër ditë e katër net. Por, cili është problemi i legjendës argjentinase të futbollit.

“Unë isha duke vdekur, ndërsa ato blinin apartamente në Miami…”, u referohet Maradona vajzave të tij, me të cilat ka pasur probleme të vazhdueshme.

Shtrimi në një klinikë të Buenos Airesit ka qenë i programuar, pra nuk ka qenë diçka e papritur, por është vetëm shqetësimi i fundit me të cilin Maradona është përballur.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Diego Maradona

Pas problemeve që shfaqi në ndeshjen Argjentinë-Nigeri në “Rusi 2018”, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje në sistemin tretës për shkak të hemorragjisë, transmeton Top Channel.

Problemet me pagjumësinë mësohet se i janë shfaqur për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me vajzat e tij. Arsyet janë ekonomike, sepse ato kanë pasur kërkesa të vazhdueshme për të zbrazur xhepat e tij.

“Herën e fundit, kur u takova me vajzat, ato më kërkuan ca dollarë. Qe një kohë të gjatë nuk arrij të fle. Nuk po them se vajzat e mia po zbrazin bankën, por ato duan të ndryshojnë realitetin, jetën time”, i është hapur Maradona mikut dhe avokatit të tij, Matias Morla.