Oficeri i FSK-së, Ismail Hoxha do të shkojë si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar, prej javës së ardhshme.
Hoxha, në emisionin “PasDite” në RTV Dukagjini ka rrëfyer momentet kur atij i është propozuar ideja për herë të parë për të marrë një detyre kaq të rëndësishme në Britani.
“Kam pasur fatin të jem kadet në akademinë Mbretërore në vitin 2015…Me përfundimin e studimeve kam pasur edhe intervistën me komandantin e akademisë. Në intervistën e fundit, në përfundim e sipër ai më ka thënë “një ditë kemi dëshirë që të jesh pjesë e akademisë në cilësinë e instruktorit””.
“Në atë kohë, meqë isha në hapat e parë si oficer, më është dukur si diçka e madhe dhe pothuajse e paarritshme, por koha po dëshmon të kundërtën”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Oficeri i FSK-së tregon se nga ajo kohë ai është zhvilluar profesionalisht në FSK dhe në momentin kur Britania ka shprehur interesim për të ftuar dikë nga Kosova në cilësinë e instruktorit, përzgjedhja e tyre ka qenë pikërisht ai.
Hoxha do të udhëtojë të shtunën në Britani ku do të qëndrojë dy vite, ndërsa më pas do të kthehet në Kosovë.
“Do të jem instruktor i një togu, që në gjuhën ushtarake do t’i përcjellë 30 kadetë deri në diplomimin e tyre si kadetë”.
Djali nga Kosova është shpërblyer nga Princi Charles me “Shpatën e Nderit” si kadeti më i mirë i huaj në Mbretërinë e Bashkuar./Telegrafi/