Telegrafi

Rrëfimi interesant për adoleshenten gjermane: Sa herë që ajo bën një test të shpejtë për COVID-19, ai është pozitiv – por të gjitha testet PCR janë negative!

Një test i shpejtë i antigjenit për COVID-19 në 15-vjeçaren Eva Wallrabenstein nga Hanoveri i Gjermanisë ka treguar një rezultat pozitiv për 9 muaj. Por kur testohet me test PCR, rezultati është gjithmonë negativ.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mjekët nuk mund të gjejnë një arsye dhe adoleshentja ka probleme sa herë që bën një test të shpejtë për coronavirus.

Sipas RTL gjermane, e transmetuar nga Revista Fenix, më 13 prill 2021, Eva u testua për herë të parë në shkollë me një test të shpejtë për coronavirus.

Testi tregoi një rezultat pozitiv pas të cilit ajo thirri nënën e saj Christina për ta marrë atë në shkollë.

Dhe pastaj filloi rrethi vicioz.

Eva shkoi për një test PCR dhe qëndroi në karantinë derisa të arrinte rezultati.

Tri ditë më vonë, ajo mëson se nuk ka coronavirus.

Të nesërmen kthehet në shkollë dhe në mëngjes testohet për coronavirus me një test të shpejtë. Rezultati ishte pozitiv.

“Isha shumë e turpëruar, e stresuar. Nuk mund të bëja asgjë”, thotë 15-vjeçarja.

E njëjta gjë i ndodhi për javë të tëra, ajo provoi deri në 30 teste të shpejta të ndryshme për coronavirus, por të gjitha dhanë rezultat pozitiv.

Mjekët nuk e dinë se çfarë po ndodh, dhe në fillim askush nuk i besoi vajzës, përcjell Telegrafi.

Ajo duhej të bënte disa teste në prani të një mësuesi të shkollës ose një mjeku, sepse ata nuk i besonin.

“Na mësuan se mund të ketë teste false pozitive, se mund ta bëjmë testin gabim etj. Në fillim askush nuk na besoi. Në nëntë muajt e fundit, vajza ime ka qenë disa herë në karantinë, ka humbur shumë orë mësimi dhe nuk mund të bëja asgjë me miqtë”.

“Sepse pjesëmarrja në jetën publike është e mundur vetëm me një test të shpejtë ose vaksinim shtesë. Mendova se nuk do të mbaronte kurrë, sepse askush nuk mund të gjente një arsye pse testet e shpejta tregojnë gjithmonë se vajza ime është pozitive”, thotë Christine.

Sidoqoftë, ndërkohë, duke mos pasur zgjidhje tjetër, drejtoria e shkollës e ka liruar 15-vjeçaren nga detyrimet e testimit dhe ka marrë dy doza të vaksinës. /Telegrafi/