Besimtarët e krishterë shkojnë e rrëfehen tek prifti, po pyetja që lind është: po prifti ku rrëfehet? Shumëkush do të thoshte lehtësisht se ai rrëfehet tek Zoti. Përtej, rrëfimit fetar nëpër kisha disi i harruar tashmë, na duhet të flasim për rrëfimin e “priftërinjve” tanë politikë që bëjnë be çdo ditë për pafajësi e ndershmëri. Le t’i besojmë në një moment, se një palë ka të drejtë, e atëherë mund të vëmë lehtësisht binomin besimtar – prift…mëkatar –shenjtor …
Deri këtu, çështja duket e zgjidhur pasi kemi një palë në faj, e një palë tjetër me hir a pa hir, të pa “përlyer me mëkat”. Kështu, po besonim edhe para një jave, që opozita ka të drejtë kur akuzon dhe mazhoranca është në faj kur akuzohet. Video-përgjimi i transmetuar na e mbushi mendjen top se z. Meta vërtetë kërkonte favore për një kompani të caktuar.
Deri këtu, ai ishte në faj dhe Dritan Prifti ishte heroi që denonconte aferat korruptive, duke pandehur se po lindte një shpresë e re e të denoncuarit hapur dhe me fakte korrupsionin me mijëra euro në vendin tonë. Por, “lindja e këtij dielli” nuk zgjati shumë, dhe gjithçka u kthye kokëposhtë, për t’i dhënë goditje të fundme heroit rrëfimtar të mëkateve të të tjerëve.
Kësisoj, u vu barazimi i pa qëllimtë, me faj brenda. Eksperti amerikan zbuloi lehtësisht atë që Prifti kishte incizuar dhe kishte fshirë, pa e ditur se mjetet teknologjike moderne nuk janë krijuar kaq naivisht, veçse për të ushtruar kontroll.
E kështu, tashmë i thyer deri në palcë të moralit, denoncuesi i madh dhe i zhurmshëm, nuk duhet do të denjojë të dalë më në media për të rrëfyer mëkatet e të tjerëve, e për të luajtur rolin e priftit kishëror. Sigurisht që do ta bëjë edhe herë tjetër, qoftë larg, duke futur në lojë edhe prokurorinë, duke e akuzuar atë si të bërë pjesë klanesh.
Madje, mund të jetë edhe nga ata rrëfimtar që shkon e i lutet prokurorëve: Ju lutem më hetoni! Ju lutem shpejt! Pas kësaj, edhe ca ditë të tjera thirrjesh sa në zyrën e Tiranës të hetimit e sa në zyrën e përgjithshme, për t’u mbyllur më pas si çështje, gjithmonë me të njëjtën frazë: për mungesë provash.
Disfata e aleatëve të Berishës
Dy mandatet e Berishës si kryeministër, kanë shënuar suksese të mëdha, por edhe rënie të forta. Rruga Durrës-Kukës, anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave, janë dëshmi të përpjekjeve të qeverisë, por Gërdeci, e aferat e shumta korruptive, ja zbehin imazhin suksesit të lartshënuar. Dy vështirësitë më të mëdha në qeverisje, Berishës ja kanë sjellë aleatët.
Më 15 mars 2008, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dyshohej si një nga të akuzuarit kryesor për tragjedinë, ndërsa së fundi, skandali shpërtheu me aleatin tjetër, Ilir Meta. Në të dyja rastet, Berisha ka vepruar me maturi, duke i mbajtur sërish pranë vetes, e në të dyja rastet është organizuar fuqishëm mediatikisht për të “mbytur” opinionin publik me deklarata të deputetëve.
Pyetja që vjen ndërmend është: Pse nuk i la jashtë koalicionit Berisha, Mediun dhe Metën, për të dalë kësisoj si kryeministër i “duarve të pastra”? Apo, rezultati i hetimeve të prokurorisë dhe vendimet e drejtësisë diheshin që në krye të herës. Nuk është diçka e jashtëzakonshme që hetimet për Metën të mbyllen me kalimin e ditëve. E gjer atëherë, rrëfimet për akuza korruptive do të jenë të shumta, veçse asnjëra prej tyre nuk do të jetë e “vërtetë” ose nuk do të merren seriozisht.
E shumta, për rrugëdalje, justifikimi siç ndodhi me Priftin me akuzat e tij pa fre ndaj Ramës do të ishte ai i “shtrëngimit” nga kryetari. Le të mos i besojmë të gjitha këto. Veçse dua të di se çfarë do të duhet të rrëfejë tashmë Dritan Prifti.