Telegrafi

Rrëfimi i personit që u përplas me gjinekologun në Vushtrri

Një situatë e pazakontë ndodhi të hënën në Spitalin e Vushtrrisë. Hakif Mulliqi, familjar i dy pacientëve në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri, është përplasur me shefin e Gjinekologjisë së këtij spitali, Blerim Fekën.

Në një video-incizim të bërë nga Mulliqi, shihet një pjesë e bisedës së tyre. Në incizim dëgjohet Mulliqi duke e pyetur doktorin nëse sjellja e tij është në rregull.

Ndërsa, në fund të videos, shihet Feka, i cili tenton t’ia ndalojë xhirimin.

Pesë ditë më vonë Mulliqi rrëfen se si ka ndodhur ngjarja.

Ai tha se pas lindjes së gruas së tij në atë spital, është informuar nga një pacient tjetër aty se fëmijën e tij do ta dërgojnë në QKUK për shkak se ka probleme me frymëmarrje.

Pas kësaj, ai thotë se të shqetësuar, bashkë me vjehrrën e tij kanë kërkuar që t’i takojnë ata dhe kanë kërkuar informacion nga doktor Feka.

“Kam pritë, kam vazhdu me pritë në korridor bashkë me vjehrrën time. Në ato momente ka dalë doktori në fjalë, gjinekologu, shef i repartit, Blerim Feka. Edhe kërkesa jonë e vetme ka qenë me hi me i pa fëmijën dhe gruan për 5 minuta. Domethanë, me e qetësu trurin edhe shpirtin – çka ka, a është fëmija në rregull, a është gruaja në rregull? Kaq kam dashtë me ditë!”, shprehet Mulliqi.

Ndërkohë, ai tregon edhe reagimin e doktor Fekës, që sipas tij ishte arrogant dhe ironizues.

Ai po ashtu pretendon se pas incizimit është kërcënuar nga doktori.

Krejt kjo situatë përfundoi me denoncimin ndaj doktorit prej Mulliqit në polici.

Nga Policia ky rast është cilësuar si “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Ndërsa, doktori është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.

Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri ka konfirmuar dorëheqjen e doktor Blerim Fekës.

“Dr. Blerim Feka, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e mjekut specialist dhe e ka njoftuar Spitalin për shkëputjen e Kontratës së punës për arsye personale”, tha drejtoria. /Kallxo.com/