Bersant Celina është njëri nga futbollistët më të talentuar që ka Përfaqësuesja e Kosovës.
Ylli nga Prizreni është nën kontratë me gjigantin anglez Manchester City, por i huazuar në Championship tek Ipswich Town.
Celina e ka nisur për mrekulli aventurën në Ipswich pasi ka shënuar shtatë gola në 18 ndeshje.
Në një intervistë të dhënë për ‘eadt.co.uk’, prizrenasi ka treguar largimin e tij me familje nga Kosova dhe shumë gjëra të tjera për vendlindjen e tij.
“Isha vetëm dy vjeçar kur u larguam nga Kosova për tu transferuar në Norvegji shkaku i luftës”.
“Shumë njerëz vdiqën ndërsa shumë tjerë i vranë serbët. Kjo ishte gjëja më e keqe që mund të ndodhte, u larguam edhe ne pasi nuk donim të na vrisnin”, ka thënë Celina.
Celina kishte luajtur për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, nga U15 deri në U21, por në fund dëgjoi zemrën.
Ai fillimisht tregon se qëllimi i tij ishte të luante për Kombëtaren e Norvegjisë pasi Kosova nuk kishte përfaqësuese.
“U rrita në Norvegji dhe e ndjeja se duhej të luaja për Norvegjinë pasi jetoja atje dhe pasi Kosova nuk kishte ekip kombëtar”.
“Kur erdhi koha të zgjedhja midis Norvegjisë dhe Kosovës mund të them se ishte një vendim i vështirë. Prindërit nuk më thanë asgjë më lan të vendosi vet, ndërsa unë zgjedha të luaja për vendin tim Kosovën”, tha talenti nga Prizreni.
21-vjeçari u tregon anglezëve se sa gjë e bukur është të luash për Kosovën, derisa zbulon se të gjithë në ekipin Përfaqësueses kanë nga një histori me familjet e tyre gjatë luftës.
“Të luash me Kosovën është ndryshe, është një krenari e madhe për shkak të asaj që ndodhi në luftë”.
“Të gjithë shokët e skuadrës kanë nga një histori me familjet e tyre. Është një nder i veçantë për mua që luaj për Kosovën. Kemi shumë talente të rinj dhe futbollistë të mirë. Do të na duhet kohë për tu futur në gara të mëdha, por e ndjej se kjo gjë do të ndodh”, tha Celina.
Sulmuesi nga Kosova thotë se ëndrra e tij e madhe është të luaj në Ligën Premier me Manchester Cityn edhe përkundër konkurrencës së madhe.
“Jam në kontakt çdo javë me klubin. E di se më vëzhgojnë rregullisht, më mbështesin dhe duan që un të kem sukses. Jam mjaftueshëm i mirë për të hyrë në ekipin e Cityt, besoj se do të luaj në Ligën Premier”, ka thënë Celina.
Krejt në fund talenti i jashtëzakonshëm nga Prizreni ka deklaruar se tifozin e parë e ka babanë e tij i cili nuk e lë në asnjë moment vetëm.
“Babai im është tifozi më i madh i imi. Në fillim ai la Norvegjinë dhe erdhi jetoi me mua për gjashtë muaj. Ai ka qenë gjithmonë afër meje dhe unë e vlerësojë këtë. Gjithmonë më shikon në ndeshje dhe më mbështet”, përfundoi Celina.
Përveç Ipswichit, Celina vitin e kaluar ishte huazuar edhe në elitën e futbollit holandez tek Twente ku shkëlqeu me paraqitjet e tij. /Telegrafi/