Smajl Manaj, ishte vetëm 25-vjecar, kur ra martir në masakrën e Kralanit në Gjakovë, nga forcat serbe, në kohën e luftës në Kosovë.
Djali i të ndjerit, Arbi, me pasion e krenari, zbret në fushën e gjelbër për të dhënë maksimumin e tij, pasi për këto ditë lirie babai i flijoi jetën.
Sfidat dhe sakrificat që duhet ndjekur për t’u bërë një futbollist në Kosovë, nuk janë aspak të lehta, sidomos kur në zemër ke një plagë të madhe.
Megjithatë, Arb Manaj, ka pasur fatin që pranë të ketë persona të cilët për asnjë moment nuk ndalën së përkrahuri dëshirën e tij.
Arbi ishte vetëm foshnje 8-muajshe kur babai i tij ndërroi jetë. Tash 21-vjecar, djaloshi nga Klina, shikon fotografitë e prindit dhe para ndeshjeve të rëndësishme aty i pasqyrohet motivimi.
Sulmuesi i Trepçës 89 e ka nisur mjaft mirë këtë edicion. Ai ka shënuar 5 gola në 11-ndeshjet e para dhe ndodhet në top-listën e golashënuesve të elitës.
I ka dhënë vetës edhe një synim shtesë sivjet, si parapërgatitje për të bërë një hap të madh në karrierë.
Tek Arb Manaj, mund ta gjejnë vetën shumë të rinj të Kosovës, si një model për vullnetin e madh dhe karakterin e fortë që ka./RTV Dukagjini/