Suspendimi nga FIFA ka ndikuar keq te ish-mbrojtësi i Arsenalit.
Emanuel Eboue ka treguar se e ka të vështirë ta pranojë vendimin e FIFA-s për të mos luajtur për një vit futboll.
FIFA ka anuluar kontratën e Eboue me Sunderlandin në afatin kalimtar të verës, pas një borxhi prej 1 milionë eurosh që lojtari i ka ish-agjentit të tij Sebastien Boisseau.
Në një intervistë për Daily Telegraph, mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë, ka treguar se ka menduar edhe të bëjë vetëvrasje pas kësaj situate.
“Në të shumtën e kohës nuk dua të ngritem fare nga shtrati”, ka thënë 33-vjeçari për gazetën angleze.
“Një ditë doja që ta vrisja veten, por është familja ime ajo që më mban të fortë, janë ata për të cilët më duhet të mendoj. Por po të isha i vetëm, brengosem kur e mendoj se çka mund t’i bëja vetes”.
Eboue aktualisht është duke u stërvitur me një skuadër amatore në Londër, për të mbajtur në nivel gjendjen fizike, për sezonin e ardhshëm. /KosovaPress/