Site icon Telegrafi

Rrëfimi emocional i Ujkanit për italianët: Do të presë topin për të vdekurit tanë

Kapiten dhe lider i skuadrës, por mbi të gjitha edhe një njeri i jashtëzakonshëm.

Fjala është për Samir Ujkanin, portierin e Përfaqësueses së Kosovës, i cili me t’iu dhënë leja nga FIFA Kosovës për të luajtur ndeshje miqësore nuk mendoi dy herë dhe pranoi t’i ndihmonte vendlindjes së tij.

Sa herë mendon për Kosovën, i kujtohen momentet e luftës, kur djaloshi nga Vushtrria u largua në drejtim të Belgjikës së bashku me familjen e tij të ngushtë.

Në një prononcim për të përditshmen italiane ‘Corriere Della Sera’, Samiri flet me emocione.

Për 28-vjeçarin ndeshja ndaj Finlandës është më shumë se një ndeshje, pasi në këtë takim do të luftojnë edhe për ata që dhanë jetën për Kosovë.

Lexo po ashtu “Kosova është Serbi”, kështu përgjigjen kompanitë shqiptare të basteve (Foto)

“Do të pres topin për të vdekurit tanë”, janë fjalët e Ujkanit për “Corriere Della Sera”.

“Unë isha gjashtë vjeç kur u arratisa nga Kosova, me prindërit shkuam në Belgjikë. Çdo dy muaj na vinte një letër dhe zbulonim se kush kishte vdekur dhe kush jo. Kam humbur komshi, familjarë, miq, kam parë tmerr me sy. Kjo është arsyeja se pse nuk do të jetë vetëm një ndeshje”, thotë portieri i Kosovës.

“Jemi së bashku prej pak kohësh. Është një skuadër në ndërtim e sipër, por duam të fitojmë për njerëzit tanë”, janë fjalët e Ujkanit.

Në këtë shkrim të gazetës italiane ka folur edhe trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi.

De Biasi ka thënë se Kosova është një ekip e re pa eksperiencë por me një karakter dhe teknikë të mirë, ndërsa u ka sugjeruar italianëve ta mbajnë nën vëzhgim Milot Rashicën. /Telegrafi/

Exit mobile version