Saranda Bogujevci, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka familjarë të vrarë dhe të zhdukur dhe që vet ishte qëlluar nga forcat serbe, ka rrëfyer në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini momentet e tmerrshme të vrasjes së familjarëve.
E mbijetuara e masakrës ndaj familjeve Bogujevci dhe Duriqi, rrëfen për mëngjesin e 28 marsit të vitit 1999, kur edhe ajo vet ishte plagosur.
Saranda rrëfen se qysh herët atë ditë një autoblindë e serbëve ishte ndalur para shtëpive të familjes së saj, por ajo thotë se në qytet flitej se serbët po digjnin vetëm lokalet afariste të shqiptarëve, dhe se momenti kishte ardhur edhe për ta.
Por gjërat shkuan shumë më keq se kaq për familjen Bogujevci. Siç rrëfen vet Saranda, paramilitarët serb kishin depërtuar brenda shtëpive ku ishin të vendosur familja Bogujevci, por aty ishte e strehuar edhe familja Duriqi.
“Forcat serbe kanë hyrë në shtëpi rreth orës 10:00 të mëngjesit. Na kanë urdhëruar të largohemi ashtu siç jemi drejt oborreve të fqinjëve…E kanë marrë njërin prej pjesëtarëve të familjes Duriqi dhe Selman Gashin dhe pasi i kanë vendosur në një lokal kemi dëgjuar dy krisma. Neve na kanë kthyer mbrapa në njërin nga oborret e fqinjëve ku edhe ka ndodhur ngjarja”.
Saranda e cila në atë kohë kishte kuptuar pak serbishten, thotë se kishte dëgjuar paramilitarët duke u sharë e bërtitur se gjoja këto vepra po i bëjnë për shkak të simpatisë që këta banorë kishin për NATO-n dhe UÇK-në.
“Kur kanë filluar të gjuajnë në këmbën e djathtë më kanë kapur plumbat. Kur e kanë parë se dikush ende po frymon më vështirësi kanë filluar të gjuajnë përsëri dhe unë jam plagosur në dorën e majtë dhe në shpinë”.
E mbijetuara e masakrës ndaj familjes Bogujevci, tregon se në fillim e kanë parë të gjithë se kanë ekzekutuar gruan e agjës, e më pas kanë filluar me tjerët.
“Pasi kanë ekzekutuar gruan e agjës, paramilitari serb ka ndërruar armën dhe ka filluar të gjuaj nga ne tjerët. Unë jam afruar te muri dhe jam shtrirë si e vdekur. Pasi janë larguar ata, kam parë disa nga anëtarët që ende janë gjallë, por e kam ditur për disa tjerë se nuk kanë mbijetuar”.
Deputetja e Vetëvendosjes, rrëfen se pas masakrës, në vendngjarje janë kthyer forcat e rregullta serbe ku edhe atë e kanë dërguar në spitalin e Prishtinës.
Pasi kanë arritur në spitalin e Prishtinës, ajo thotë se ka parë shumë motra medicionale dhe më pas edhe familjarët e tjerë të plagosur.
Saranda rrëfen më tej se për dy javë ka qenë në një dhomë në spital me polic e ushtarë serb të plagosur.
“Për dy javë ditë kam qenë në një dhomë e vendosur me policë e ushtarë serb të plagosur, më pas më kanë vendosur me Jehonën (familjare e saj e plagosur në të njëjtën masakër)”, rrëfen ndër të tjera Saranda Bogujevci.
E mbijetuara e masakrës ndaj familjes Bogujevci, tregon se shumica e familjarëve të plagosur bashkë më të kanë qëndruar në spitalin e Prishtinës deri në përfundim të luftës, ndërsa një vajzë e plagosur e kësaj familje ishte dërguar në Beograd./Telegrafi/