Shumë femra pas shtatzënisë heshtin për problemet e tyre të shumta, mirëpo Chrissy Teigen ka vendosur të flasë në vend të tyre.
Manekinia e famshme, e cila së fundmi e ka zbukuruar ballinën e revistës Women’s Health, ka treguar se e ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me trupin e saj, ndërsa ka folur edhe për jetën seksuale dhe gjendjen psikike pas luftës me depresionin postnatal.
Depresioni pas lindjes (PPD) që quhet edhe depresioni postpartum ose postnatal, është një formë e çrregullimit të disponimit pas sjelljes në jetë të fëmijës, i cili përfshin kryesish nënat, por nuk përjashtohen as baballarët. Në kuadër të simptomave mund të jetë pikëllimi ekstrem, energjia e ulët, ankthi, episodet me të qara, ngacmueshmëria dhe çrregullimet e gjumit ose ushqyerjes.
Gruaja e John Legend ka folur për gjithçka që i kishte ndodhur gjatë vitit 2016, kur e kishte lindur fëmijën e parë, vajzën Luna.
“Pasi lindi fëmija, fillova të pija shumë. Nuk haja sa duhet, sepse lukthin e kisha plot, ndërsa me gjithë këtë nuk i bëja asgjë mirë organizmit. Më kujtohet që në trup më bëheshin mavijosje nga asgjë”, ka treguar ajo.
Për shkak të këtyre problemeve kishte filluar të merrte edhe antidepresivë, mirëpo më pas kishte arritur ta kuptojë se nëpër çfarë po kalon.
Për këtë arsye vendosi t’i kushtonte shumë rëndësi gjendjes së organizmit të saj.
“Çfarë është më e rëndësishme se të jesh krenar me veten dhe të bësh më të mirën që di dhe mundesh me trupin tënd”, ka shkruar Chrissy.
Teigen, e cila tash është nënë e dy fëmijëve, ka pranuar se nganjëherë nuk ndihet këndshëm kur shikohet në pasqyrë, sepse e sheh se sa i ka ndryshuar trupi, e sidomos gjoksi për shkak të gjidhënies. /Telegrafi/