Makthi i secilit person që vrapon në natyrë është shndërruar në realitet për amerikanin Travis Kauffman, 31-vjeç, i cilit i ndodhi e papritura derisa po vraponte në parkun Horstut.
Ai ishte në shtegun për vrapim kur një luan e sulmoi dhe nuk kishte nga t’ia mbante veçse të ballafaqohet me të, me shpresën se do të ndodhte ndonjë mrekulli për t’i shpëtuar vdekjes, transmeton Telegrafi.
“Me erdhi nga pjesa anësore e shtegut dhe më kërceu sipër kokës, por frika në trupin tim u shndërrua në forcë për ta luftuar. Luani më kafshoi në dorë dhe filloi të më tërheq zvarrë, e me thonjtë e mprehtë më gërvishte në fytyrë. Ishte diçka e tmerrshme”, ka deklaruar Kauffman.
Për fat të mirë bëhej fjalë për një luan të vogël dhe Travis i mbuluar në gjak arriti disi ta rrëzojë në tokë.
“Prej atij momenti ishte një duel i përgjakshëm. Pasi që kam një mace në shtëpi dhe kam lexuar shumë për kafshët e egra, e dija se kthetrat janë shumë më të rrezikshme. Frikësohesha që do të më sulmojë në fyt apo bark, pasi e dija se në atë moment do të isha i vdekur. Fillova ta ngufat, duke mos ditur çfarë të bëjë tjetër. Në një moment e ndjeva se filloi të dorëzohet, edhe pse vazhdonte të më gërvishte dhe kafshonte. Ndoshta janë nevojitur 10 minuta që të ndalet dhe të mos lëviz më”, ka deklaruar Kauffman.
Kafshimet, gërvishtjet në tërë trupin dhe hunda e lënduar… dukej sikur Kauffmanin e kishte prerë dikush me hanxhar.
“Adrenalina më kontrollonte. Nuk e di edhe tani se si ia kam arritur, më duket vetja sikur kam fituar xhekpotin”, ka thënë duke qeshur Kauffman që i mbijetoi sulmit të luanit. /Telegrafi/