Një nga fotografitë më prekëse të shkrepura pas tërmeteve të tmerrshme në Turqi, dhe ajo që ka bërë xhiron e botës është fotografia e një babai që mban për dore vajzën e tij, që vdiq nën rrënojat e ndërtesës së shembur në qytetin turk Kahramanmaras.
Babai Mesut Hancer tregoi për herë të parë historinë e tij para kamerave televizive të televizionit turk Kanal D, transmeton Telegrafi.
49-vjeçari nuk ia lëshoi dorën vajzës së tij 15-vjeçare Irmak, e cila mbeti në rrënoja. Fotografia e babait të veshur me një xhaketë portokalli me dhimbje të papërshkrueshme në fytyrë, la mbresa të thella në Turqi dhe në mbarë botën.
Duke shpjeguar se në momentin e tërmetit punonte në një furrë buke, babai tha se sapo u dridh toka, fillimisht telefonoi familjen dhe mori vesh se gruaja, dy vajzat dhe djali ishin mirë.
Tha se vajza e tij e vogël Irmak ka qëndruar atë natë me gjyshen e saj.
“Atë natë erdhën të afërmit e Irmakut dhe ajo shkoi në shtëpinë e gjyshes për të qenë me ta”, shtoi 49-vjeçari.
“Kur thirra gjyshen e saj atë mëngjes, askush nuk u përgjigj. Vrapova atje, iu luta Zotit që ndërtesa të ishte e plotë. U përpoqa ta tërhiqja princeshën time me duar, por nuk munda. Në fund, më është dashura ta lija në gërmadha”, tha ai.
Tha se ajo humbi jetën në tërmetin e parë dhe se nuk kishte asnjë mënyrë për ta shpëtuar. Hancer theksoi se kanë arritur ta gjejnë trupin vetëm pas tre ditësh për shkak të rrënojave. Vajza u varros dy ditë më parë.
Në tërmet vdiqën edhe nëna e Mesutit, gjegjësisht gjyshja e vajzës, dy vëllezërit e tij dhe shtatë persona të tjerë.
“Edhe shtëpia jonë është e dëmtuar, nuk mund të hyjmë në të, nuk kam ku të shkojë”, tha për fund Hancer.