Avril Lavigne në vitet e fundit nuk ka qenë pjesë e skenës muzikore, ndërsa më në fund ka folur në lidhje me sëmundjen për të cilën është mjekuar qe një kohë të gjatë.
Këngëtarja ka vuajtur nga sëmundja Lyme, e cila ka bërë që karriera e saj muzikore të ngecë – bën të ditur Independent.
Në një letër të hapur drejtuar fansave, 33-vjeçarja ka thënë se i ka kaluar vitet më të këqija dhe e ka zhvilluar luftën më të vështirë në jetë.
Albumin e fundit, këngëtarja e kishte lansuar në vitin 2013, ndërsa vetëm dy vite më pas u diagnostikua me sëmundjen Lyme.
Sëmundja Lyme, e cila njihet edhe si Borreliosa Lyme, është një sëmundje infektive e shkaktuar nga llojet e bakterit Borrelia (Borrelia burgdorferi, Borrelia afzelii e Borrelia garinii) që bartet me anë të rriqrave. Shenja më e shpeshtë e infeksionit është një zonë e gjerë e skuqur e lëkurës që quhet ‘erythema migrans’, e cila paraqitet përreth vendit të pickimit nga rriqrat. Sëmundja mund të shkaktojë një sërë problemesh fizike dhe mendorë nëse nuk mjekohet me kojë. Mjekohet kryesisht me antibiotikë, ndërsa shërimi mund të zgjasë disa muaj, por edhe vite.
“Kam kaluar vite duke luftuar ndaj kësaj sëmundjeje të ligë. Në një moment më është dashur ta pranoja vdekjen dhe mundja ta ndjeja sikur më shuhej trupi”.
“Dukej sikur po mbytem, po fundosem dhe më duhej të dilja në sipërfaqe dhe të merrja ajër”.
“Sikur të isha në një lumë dhe rryma më tërhiqte teposhtë, ndërsa aq shumë kisha nevojë për frymëmarrje”, ka shkruar Lavigne duke thënë se teksa ishte e sëmurë ndihej më afër Zotit.
Përmes letrës së publikuar në faqen e saj zyrtare, ajo ka dashur që ta ngrejë vetëdijen e njerëzve për këtë sëmundje të rëndë.
“Një pickim i thjeshtë i një insekti mund t’jua shkatërrojë jetën. Njerëzit nuk e kuptojnë se kjo sëmundje duhet të mjekohet menjëherë”, ka shtuar këngëtarja. /Telegrafi/