Site icon Telegrafi

Rrëfimi i Astrit Stafait, zgjodhi muzikën para futbollit

Muzicienti Astrit Stafai, ka rrëfyer për jetën dhe karrierën e tij në emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini.

I lindur në Prishtinë, ndërsa familja e tij jeton Gostivar të Maqedonisë, Astriti është i martuar dhe ka një vajzë.

Fëmijërinë e hershme e ka jetuar në Prishtinë, ndërsa më pas ka vazhduar jetën në Maqedoni ku edhe ka mbaruar shkollën e mesme të muzikës. Pas luftës ai është kthyer në Prishtinë ku jeton dhe vepron edhe sot.

Duke rrjedhur nga një familje muzikantësh, Astriti qysh si fëmijë bashkë me të vëllain Arditin ka qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme të kohës.

Ai rrëfen se fëmijëria e tij është e mbushur me kujtime të bukura, duke qenë se ka udhëtuar në shumë vende si pjesë e festivaleve.

Por, ai rrëfen se kur shokët e tij të gjeneratës kalonin kohën duke u argëtuar jashtë, ai qëndronte mbyllur dhe ushtronte shumë në instrumente.

Astriti tregon se nga mosha gjashtëmbëdhjetëvjeçare ka bashkëpunuar me këngëtarët e estradës.

Ai thotë se përpos muzikës, pasion i tij ka qenë edhe futbolli.

“Daja im Ekrem Bërlajolli ka qenë njëri ndër lojtarët e artë të gjeneratës së Kosovës. Nga ana e babait unë kisha trashëguar muzikën, ndërsa nga e ëma, kisha muzikën por edhe futbollin. Por ngaqë kisha Arditin [i vëllai] afër, dhe na ka lidhur muzika fati im ishte që të zgjedh muzikën…Nëse nuk do të bëhesha muzicient, qind për qind do të bëhesha futbollist”, rrëfen më tej muzicienti.

Stafai, përpos që bën muzikë për estradën muzikore, ai ushtron edhe profesionin e pedagogut në shkollë./Telegrafi/

Exit mobile version