Në emisionin “Njerëz në Fokus” në News 24, një 14-vjeçare nga Dibra, rrëfen dhunën ekstreme të të atit, mbi të, mbi nënën dhe mbi anëtarët e tjerë të familjes çdo natë, kur vjen i dehur në shtëpi.
“Çdo natë ai vjen pijshëm, mama thotë me shku tek dhoma tjetër se ka frikë se na rreh. Ai na rreh shpesh, kena frikë kur e shohim babin. Ai merr rripin e pantallonave dhe na rreh të 4 gocave sikur ne jemi. Gjëja më e vështirë është kur ai rreh mamin, mezi e durojmë edhe ne. Një ditë ia ka nxi shumë synin, e kur ka dalë përjashta ka thënë se është rrëzu se kishte turp me tregu që e ka rraf baba. Na dhemb shumë por çka me bo. Kam një shoqe të ngushtë, që ja kam kallëzu të gjitha dhe i kam thënë mos me ja kallu të tjerëve. Të gjithë e dinë që unë s’rri me shoqe, rri veçmas tjerëve”, thotë ajo.
Duke folur për dhunën e vazhdueshme, adoleshentja tregon rastin e fundit para një jave: “Para një jave babi erdhi aq i pijshëm sa na ka rraf të gjithave. Mama të nesërmen na ka çuar tek dalja në fshat. Babi nuk punon rri në lokale të ndryshme”.
Frika është ajo që i mban vajzat dhe nënën të mos denoncojnë dhunën.
“Mama ka thënë mos me i kallzu kujt, kena frikë nga baba. Sepse ai i ka thënë mamës” po treguat, ju vras”, thotë ajo.