Pazarcik është një qytet turk, në afërsi të cilit ishte epiqendra e tërmetit shkatërrues të javës së kaluar.
Banorët e këtij qyteti ishin dëshmitarë të tmerrit nëpër të cilin kanë kaluar. Disa prej tyre mendojnë se në këtë qytet jeta më nuk është e mundur të zhvillohet.
Gazetari Suat Yenipinar dhe nipi i tij, në momentin e tërmetit ishin në apartament në katin e pestë, transmeton Telegrafi.
“Kur ndodhi tërmeti, e kapa nipin dhe tentova duke vrapuar të dalë nga ndërtesa, por u goditëm në mure dhe u rrëzuam. E mbrojta me trup në rast të shembjes së ndërtesës. Pasi përfunduan dridhjet, arritëm të dalim dhe vazhdimisht binin copëzat e ndërtesës”, tha 60-vjeçari.
Aktualisht jeton në tendë, pranë një kuzhine mobile të Kryqit të Kuq. Në Pazarcik në momentin e katastrofës natyrore kishte 28 mijë banorë, ndërsa jetën e humbën 450 persona.
Megjithatë sipas të dhënave zyrtare, qyteti ka 68 mijë banorë, por shumë prej tyre punojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani.
Sipas vlerësimit të banorëve, kanë mbetur vetëm 4 apo 5 mijë banorë. Tërmeti shkatërroi edhe objektet e gazetave lokale siç është Aksa Haber Gazetesi që Yenipinar e shpërndante nëpër dyqane.
“Jeta në Pazarcik ka përfunduar pas tërmetit, të gjitha ndërtesat janë demoluar”, shtoi Yenipinar.
Ai thotë se vlerëson qeverinë turke, dhe konsideron se u ka dhënë të gjitha gjërat të cilat qytetarët kishin nevojë. Megjithatë, kritika në drejtim të qeverisë pati nga shumë qytetarë.
Paralajmëroi se do të zhvendoset në një qytet tjetër, pasi beson se Pazarcik nuk do të rinovohet dhe të rikthehet ashtu siç ishte dikur. /Telegrafi/