Telegrafi

Rrëfime lufte: Si ndodhi që volejbollisti malazez vodhi minibusin e klubit dhe u largua nga Ukraina – ai u denoncua për hajni

Volejbollisti malazez Rajko Strugar është një nga sportistët që u detyrua të largohej nga klubi për shkak të luftës në Ukrainë.

Strugar u arratis nga qyteti i Poltava, që gjendet midis Kievit dhe Kharkiv, në një mënyrë pothuajse të pabesueshme. Ai tregoi historinë e tij për Vijesti.

Strugari dhe shokët e tij u gjendën në luftë. Ata kërkuan ndihmë dhe një mënyrë për të shpëtuar nga vendi, por askush nuk donte t’i ndihmonte. Pasi pa se nuk do të largohej shpejt nga vendi, Strugari vendosi të vidhte minibusin e klubit.

“Kishte një minibus të klubit i parkuar para ndërtesës, ishte aty për 4-5 ditë, askush nuk e përdorte. Gjatë dy mbrëmjeve në bodrum bëra një hartë, i thashë shokut tim të skuadrës, bjellorusit Kirill Krsnevski:’Po shkoj ta marr minibusin, me ose pa ty dhe unë nuk kthej kokën pas”. Ishte skeptik, por të shtunën herët në mëngjes, kur u zgjova, ishte gati. Ndezëm mjetin dhe u nisëm”, tregon Strugari.

U denoncuan për vjedhje

Ndërkohë drejtuesit e klubit i denoncuan edhe për vjedhje të minibusit. Policia do t’i kishte ndaluar nëse do t’i kishte gjetur në rrugë teksa po udhëtonin drejt kufirit me Moldavinë. Gjatë rrugës kanë hasur në pengesa të shumta, disa rrugë nuk kanë qenë të kalueshme, ndaj kanë vozitur në rrugë të tërthorta.

Megjithatë, 200 kilometra larg kufirit, ata u ndaluan nga policia dhe u detyruan të largoheshin nga minibusi. Por babai i lojtarit doli dhe i mori në mes të rrufës.

 

“Në ditën kur filloi lufta, babai u largua nga Mali i Zi, mbërriti në Moldavi për të më pritur, ishim në kontakt, u morëm vesh ku të takoheshim, por kur i thashë se kam mbetur pa automjet, ai vendosi të nisej drejt nesh. Ai erdhi në Ukrainë, dhe ikëm bashkë nga Ukraina …”.

“U takuam rreth 50 kilometra nga kufiri në territorin ukrainas, unë dhe shokët e skuadrës ndërruam mjetin e tretë dhe më në fund arritëm në zonën e sigurt. Ndoshta në momentin e fundit, sepse kam dëgjuar se pika kufitare është shkatërruar”, ka treguar Strugari.

Në kufi e priste konsulli i nderit i Malit të Zi në Moldavi, Andrej Stratan.

Tutje ai falënderoi drejtuesit e Malit të Zi që i kishin qëndruar afër në të gjithë kohën dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta.

Edhe bashkëlojtari dhe shoku i tij Kiril Krsnevski, tani është i sigurt.

“Ai mori një aeroplan në Bukuresht, është në Francë. Ai ka disa shanse për të gjetur një klub të ri menjëherë. Po unë? Do të stërvitem në Budva, nuk jam me ngut, do të shohim gjithçka… Më e rëndësishmja është se kjo ka mbaruar”, përfundoi ai. /Telegrafi/