Ishte viti 1989 kur tek A.B. (nga Peja, emër i njohur për redaksinë), vinin rreth e rrotull “hienat” për ta futur në vorbullën e tyre. Ishte një 17-vjeçar i varfër. Babai i tij, gjoja për ta ndihmuar familjen, kishte ikur në mërgim e nuk ishte kthyer më kurrë.
“Kemi qenë gjashtë anëtarë të familjes. Mbetëm pesë, sepse babai na braktisi kur ishim të vegjël. Unë isha tre muajsh kur ai shkoi në Gjermani, për ta ndihmuar familjen. Por, nuk u kthye më kurrë. Nëna na rriti me faqe të bardhë dhe me plot mundime”, thotë A.B. për Telegrafin.
Ishte nxënësi më i mirë në vitin e tretë të shkollës së mesme, e djali më i mirë i shtëpisë. Të gjithë e respektonin dhe e donin. Ai veçohej nga dy vëllezërit dhe nga e vetmja motër që kishin, si për nga mësimet, ashtu edhe nga edukata dhe sjellja shembullore që i kishte dhe nëna.
Por, fatkeqësia hyri në jetën e tij, sepse u mashtrua shumë lehtë nga disa persona që vinin e shkonin nëpër Evropë, me vetura të shtrenjta e luksoze, me zinxhirë të arit dhe me sjellje të gangsterit. Duke e ditur që ishte i varfër, ata i kërkuan që të shkonte me ta në Evropë – për të punuar ndershmërisht e për ta ndihmuar kështu familjen!
“Rrinin nëpër Evropë pesë deri në gjashtë muaj, e kur ktheheshin rrinin nga dy apo tri javë. Kishin zinxhirë të arit; vetura të reja e të shtrenjta; tregonin se çfarë jete luksi bëhet nëpër Evropë. Ne të rinjtë e lagjes i dëgjonim me vëmendje. Si çdo i ri që ka ëndrrat e veta, edhe unë i kisha ato të miat. Ata ishin 15 vite më të vjetër se unë, më të pjekur se unë. Duke e ditur gjendjen time të vështirë ekonomike, më thanë se do të ma gjejnë një punë që ta ndihmoja familjen. Pranova. Në mbrëmje i thash nënës: ‘Po shkoj. Më kanë premtuar punë. Do t’ju ndihmoj’. Nëna nuk donte të largohesha nga shtëpia. Me dhembje tha: ‘Shko, por lajmërohu shpesh’. Kur u nisa nëna ma la edhe këtë amanet: ‘Mos të kesh lakmi, xhelozi dhe urrejtje ndaj askujt’”!
Në Perëndim për të gjithçka ishte më bukur se në Kosovë. Por, shpejtë jeta e tij ndryshoi. Ai u bë hajdut, argat i personave që ia premtuan Parajsën, por që po e fusnin dalëngadalë në Ferr. Ata ishin edhe përdorues të drogave. A.B. rezistoi për tri vite këtë tundim, e pastaj u bë rob i saj.
“Shoqëria po të fuste aty ku s’duhet. Një natë më thoshin që të pija një cigare. Rezistova, derisa njëri nuk u ngrit e më tha: ‘Hajt more burrë, veç ti po del i veçantë’. Durova, e pastaj e thitha një tym. Për një moment njerëzit më vinin përqark. Pastaj erdhi tymi i dytë, i treti e kështu me radhë. Disi u çlirova. Më dukej se dynjaja është e imja”.
Por, ky ishte vetëm fillimi i këtij iluzioni që e fuste në robëri, sepse atë e priste edhe një tjetër “detyrë”.
“Ai që ma dha i pari drogën shkoi në WC. Më thirri duke ma bërë me dorë. Kur hyra, në guacë kishte përgatitur katër vija me heroinë: dy për mua e dy për veten. Kundërshtova, por prapë më bindi duke thënë: ‘Hajt se nuk vdes’. E thitha pluhurin. Përnjëherë më erdhën të vjellat. Mendoja që do të pëlcisja, por pas dy a tri minutave erdha në vete. Dynjaja u bë rrafsh. Më tha të shkoja drejt në veturë e ta prisja aty. Tha se kishte probleme në Kosovë. ‘Fola me gruan, kishte mbetur pa pare’, më tha. Ai i kishte shpenzuar paratë në drogë e kumar. I thash se mundemi bashkërisht ne miqtë ta ndihmojmë, por ai kërkoi t’ia vidhja një veturë pranë vendit ku u parkuam. Veturat që i vidhnim i çonim në Rusi ose Hungari. E vodha një ‘Audi 80’”.
Me zërin e tij të dridhur e të penduar, flet për momentin kur shkoi në shtëpi dhe për reagimet e tij të para të një njeriu të droguar.
“Pasi e ‘rehatova’ shokun, u nisa drejt banesës. Banoja me një vajzë të huaj. Isha shumë i disponuar. U shtriva në shtrat. Shoqja u ulë afër meje e u mbështet për koke në gjoksin tim. Nisa të flisja. Më kishte kapur droga e nuk ndalesha derisa u bë dritë. U ktheva nga Dashi – siç e thërrisja – dhe i thash: ‘Të lash pa gjumë’. Ajo më tha: ‘Edhe një javë do të dëgjoja. Më ke kënaqur. Kurrë më i disponuar se sot nuk ke qenë’. Nuk dinte gjë për drogën. U zgjova në orën katër pasdite me krizat e drogës. Nuk isha në qejf dhe nuk doja të më shikonte shoqja ashtu. Ndaj, dola”.
Kështu nisi “lidhja” e tij me heroinën, lidhje kjo të cilën nuk gjente forcë ta ndërpriste.
“Shkova në kafe. Aty ishin ulur shokët e mi të droguar. U ula në karrige, por nuk ndjehesha rehat. Ai që ma dha drogën e për të cilin e vodha veturën, më shikonte duke qeshur. Shkuam në WC bashkë. E hapi qesen dhe më ofroi pak heroinë. Edhe pse sërish kundërshtova, rashë pre e tij. Droga më kthjelli”.
Kështu, A.B. jo vetëm që u bë hajdut e narkoman, por edhe klient i atyre që e futën në këtë udhë. Nga “miqtë” e blinte drogën, me vite të tëra. Sepse, siç thotë ai, “kur hyn në të, njeriu s’del kurrë nga ajo”.
Pasi u fut në burg për punët e paligjshme që i bëri, A.B. pas 17 viteve kthehet detyrimisht në Kosovë.
“Vëllezërit e motra më pritën mirë, me zemër të hapur e me dashuri. U kisha munguar, sidomos nënës që më kishte vdekur. Isha përdorues i drogës, e nuk mund ta lija. Familja nuk e dinte këtë, ose nuk e kanë përmendur. Sikur të flisnin, ndoshta do ta kisha përkrahjen dhe mbështetjen e tyre për ta lënë. Por, kjo nuk ndodhi. Situata u acarua, vendosa të ikja. Rrija ku mundesha, nëpër shtëpi të vjetra e të braktisura”.
Në vendin e tij të lindjes, në Pejë, ka qëndruar për dy muaj. Pastaj erdhi në Prishtinë. Me ato pak pare që i siguronte, blinte drogë.
“Një shoqe nga jashtë më çonte ndonjëherë para. Por, ato u shpenzuan. Drogën kurrë me shiringë nuk e kam marrë. Të rinjtë në Prishtinë po, e unë kurrë nuk kisha besuar se Kosova vjen në këtë ditë. U mësova edhe unë kështu. Dozat rriteshin, para nuk kisha. Për t’i siguruar ato, natyrisht se zgjidhja rrugët e paligjshme”.
A.B. një ditë u bë këmbëngulës që të kërkonte shpëtimin më shumë se drogën!
“U shkatërrova. Flija nëpër bodrume të ndërtesave dhe shkruaja historinë time që një ditë ta botoj në formë të librit. Pastaj dëgjova për qendrën ‘Labirinti’. Shkova aty, sepse isha i vendosur ta lija heroinën”.
A.B. ëndërron që ferrin nëpër të cilin kishte kaluar, ta botojë në një libër. Ai sot dëshiron të ndihmojë të tjerët që kanë të njëjtat halle si dikur. Përmes përvojës e kujtimeve të tij beson se mund të ndihmojë që Kosova të ketë njerëz e familje më të shëndetshme, e të rinj të fortë që do ta çmojnë jetën dhe sfidat që ajo sjell, e jo vetëkënaqësinë jetëshkurtër që sjell dhembje të vazhdueshme për familjen e shoqërinë.
“Nuk i dua më dhunën e rrugët e liga. Por, për ta shpjeguar ferrin e drogës, ua them këtë: Vrasja nuk është marrje haku nëse je në gjak me dikën, por t’ia bësh hasmit djalin narkoman, sepse kështu ia vret tërë familjen”, thotë A.B., në një si proverb nga e cila viktimat si ai mund të nxjerrin mësim: për ta shpëtuar veten dhe të tjerët rreth tyre. /Elfije Boletini/Telegrafi/