Prej 10 vitesh punon në lëmin e gazetarisë sportive, por prej shumë kohësh ajo është e pranishme edhe në faqet e gazetave rozë, për shkak të formave të saj dhe tipareve joshëse.
Ilda Bejlerin jemi mësuar ta shohim si moderatore dhe si gazetaren seksi të sportit, por këtë herë ka ardhur momenti ta shikojmë ndryshe.
E ftuar në emisionin “Chic” me gazetaren Fjodora Fjora, bukuroshja Ilda Bejleri ka rrëfyer hapat e para të saj në gazetarinë sportive, dhe pritshmëritë për të ardhmen.
Madje ajo duke iu referuar punës së saj edhe gjatë fundjavës, orareve të zgjatura dhe angazhimeve të shumta nuk ngurron të bëjë shaka duke u shprehur “Ndonjëherë bëj shaka duke thënë na latë pa martuar nga fakti që punojmë edhe në fundjavë”.
“Në 10 vite punë jam përpjekur të jem vetvetja. Dhe kjo më bën ta dua punën dhe të më duket më e thjeshtë. Sporti është një fushë që nëse nuk ke informacion është shumë e vështirë, dhe duhet të jesh e informuar. Ndjekësit janë tifozë të mirë, dhe kanë informacion të vijuar. Nëse gabon, ata të kritikojnë”, thotë Ilda.
Sakaq, ajo nuk ngurron të rrëfejë se vendos skendina, dhe kjo i bën t’i ndjekë ndeshjet edhe me më shumë pasion.
“Unë e kam deklaruar që luaj bastore. Ne shqiptarët i duam bastet, edhe pse e dimë që nuk është gjë e mirë. Në momentin që luajmë bastore, duke qenë se vë diçka, edhe ndeshjen e ndjek me pasion”, rrëfen Ilda Bejleri.
Sakaq, ajo tregon se është ende singell, edhe pse çdo ditë puna e saj e bën të takojë futbollistë të cilët, siç i quan ajo, janë të pashëm. “Nuk jam dashuruar me ndonjë futbollist. I pëlqej të gjithë në sensin e mirë, se të gjithë ata janë çuna të mirë, të pashëm, simpatikë, po nuk jam dashuruar me ndonjë futbollist. Jo se nuk kam dashur, por nuk ka rastisur”, shprehet Bejleri.