52-vjecari Ferdinant Ruko, i cili vrau bashkëshorten e tij, Liljana Ruko, mbrëmjen e të shtunës, rrëfeu ne polici motivin e krimit të rëndë.
Fillimisht ai tha se e vrau gruan për xhelozi, por më pas e ndryshoi version, duke pohuar se shkak për sherrin ishte bërë denoncimi i Liljanës ndaj tij një muaj më parë për ushtrim dhune.
Policia e Fierit konfirmoi se një muaj më parë kur sapo ishin kthyer nga Gjermania, ku kishin kërkuar Azil, bashkëshortët Ruko ishin grindur për probleme ekonomike. 52-vjecari e kishte goditur Liljanën, ndërsa ajo kishte denoncuar në Polici. Për këtë arsye, Policia i kishte dhënë gruas një urdhër mbrojtjeje. Megjithatë, prej asaj kohë ata vijonin të qëndronin në të njëjtën banesë.
Fqinjët e çiftit rrëfyen edhe momentet e tmerrit dhe si nuk arritën të shpëtonin gruan që kacavirrej në ballkon.
Përleshja mes burrit për ta hedhur gruan dhe kësaj të fundit për t’u mbajtur zgjatën së paku 3 minuta. Gjithçka ndodhi teksa në apartament gjendeshin edhe dy fëmijët e mitur të çiftit. Autori i krimit e priti policinë në banesë dhe nuk bëri rezistencë. /TV KLAN/