Pas temperaturave të larta të cilat po mbizotëronin ditëve të fundit vendin tonë, reshjet e shiut janë rikthyer përsëri.
Në orët e pasditës se sotme një rrebesh shiu ka kapluar kryeqytetin. Ndonëse ka freskuar vendin nga temperaturat e larta, ky shi ka shkaktuar edhe telashe në qarkullim.
Lexues të Telegrafit kanë dërguar një video ku në rrugën “Ali Pash Tepelena”, në Prishtinë, shiu i rënë ka bllokuar rrugën.
Ndërsa në ditët në vazhdim Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar mot jostabil, të shoqëruar me reshje shiu, stuhi lokale dhe shkarkime rrufesh.
Në fushat termike do të ketë rënie për disa gradë, por kjo gjendje nuk do të ndikojë edhe në temperaturat minimale, të cilat do të vazhdojnë të mbeten të njëjta me ditët e fundit, minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-30 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-13m/s. /Telegrafi/