Telegrafi

Rrahu për vdekje bashkëshorten, dënohet me 15 vjet burgim i akuzuari nga Samadrexha

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit I.H, i cili u dënua me 15 vjet burgim.

I.H dyshohet se më 31 maj të vitit 2019 e kishte rrahur për vdekje bashkëshorten e tij, viktimën H.D.

Gjykata njoftoi se më 3 shkurt të 2021-s, i akuzuari ishte dënuar me masën e njëjtë, por pas ankesave, rasti ishte kthyer nga Gjykata Supreme në atë Themelore.

“Më 31 maj 2019, rreth orës 17:30 min. duke drejtuar veturën e tipit “………”, me ngjyrë hiri me një targë përpara ……… në rr. “Gusia”, në dalje të fshatit Samadrexhë, në rrugën “Avni Hodaj, rreth 400 metra larg rrugës kryesore Suharekë-Rahovec, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmoj fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e autopsisë nga Dr.F.B., ekspert mjeko-ligjor nga të cilat lëndime më vonë ajo vdes, në QKUK në Prishtinë me datën 15.06.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk ka qenë kontestuese se i akuzuari me të ndjerën vazhdimisht kanë pasur mosmarrëveshje, pasi që edhe dëshmitarët dhe vet i akuzuari ka deklaruar këtë fakt, andaj për Gjykatën është fakt i pa kontestuar se në vazhdimësi ndaj të ndjerës nga ana e të akuzuarit ka pasur maltretime dhe keqtrajtime fizike e psikike.

“Sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme, në rigjykim është bërë ri konstruktimi i vendit të ngjarjes.

Gjykata i’a fali besimi konstatimit të ekspertit komunikacionit se rasti nuk ka mund të jetë aksident i komunikacionit, me rastin e lëndimeve të pësuara nga e dëmtuara”, thuhet në njoftim.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/