Site icon Telegrafi

Rrahu fëmijën 3 vjeç, administratorja kërkon të justifikohet

Dhuna në kopshte, shkolla, në qendra sociale, jetimore e kudo ku ka njerëz të fuqishëm që paguhen për tu kujdesur për të pafuqishëm, është kthyer tashmë në një objekt vetëm kamerash të fshehta. Pas publikimit të këtyre kamerave, shohim një sërë ministrash dhe më pas vartësish të tyre që dalin, betohen e stërbetohen se do të marrin të gjitha masat për të ndëshkuar personat përgjegjës. Në fakt për këtë ndëshkim janë prokuroria e gjykata, por këtu të parët që flasin janë personat politik. Edhe arrestohen dhunuesit, edhe hetohen, gjykohen e më pas lirohen për tu kthyer sërish në të njëjtën detyrë e sërish në të njëjtën formë; dhunues.

Edhe rasti i dy ditëve më parë që u bë publik në një emision investigativ sjell një rast dhune deri në kufijtë e të paimagjinueshmes, ndërsa në pamje duket se gruaja dhunuese e një fëmijë vetëm 3 vjeç e ka për kënaqësi të qarën e djalit. Administratorja dhunuese Gruaja, që rezulton të jetë edhe administratore e atij biznesi ku fitohet me një grusht fëmijësh, për të cilët paguajnë prindërit që punojnë pikërisht për të paguar këtë kategori, është një person i njohur në media pasi ka drejtuar vetë një emisioni investigativ.

Policia e Tiranës e ka arrestuar gruan dhe tashmë pritet të dalë para gjykatës ndërsa ditën e djeshme kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe protagonistët e tjerë që shfaqen në atë video. Dy prindërit e djalit vetëm 3 vjeç, edukatoret e kopshtit të palicencuar që i gjen në çdo qoshe të Tiranës dhe disa prindër të tjerë të cilët mësohet se kanë treguar me detaje gjithçka kanë shquar tek fëmijët e tyre që pas faktit se aty ushtrohej dhunë.

Gruaja që është vënë nën akuza të forta publike dhe ligjore sipas të dhënave është një besimtare e devotshme, aq sa madje edhe e ëma e djalit të dhunuar ka treguar në polici se e besonte kur ajo i betohej në Allahun që fëmijën e tyre e konsideronte si të ishte fëmija i saj. Referuar të dhënave policore mësohet se po punohet intensivisht për të mësuar të vërteta e asaj dhune, ndërsa vetë Anjeza Shabani, gruaja dhunuese që edhe administronte biznesin e dhunës, ka mohuar ta ketë dhunuar sistematikisht.

Ajo ka treguar madje se për atë fëmijë ka edhe një farë dobësie për shkak se ai është një fëmijë i veçantë ndërsa tashmë djali ndodhet në duart e mjekëve dhe do të jenë ata që do të japin fjalën e fundit në lidhje me gjendjen e tij mendore, pasi fëmija ka shfaqur shenja të ankthit gjatë kohës që ishte në gjumë.

Një tjetër skandal i rëndë është shfaqur dy ditët e fundit në një kopsht privat, në Sauk të Tiranës. Administratorja e kopshtit “Diren” është filmuar nga një kamera amatore, duke ushtruar dhunë ndaj një fëmije 3-vjeçar. Fëmija i vogël dhunohet barbarisht nga administratorja e këtij kopshti, Anjeza Shabani, në sy të fëmijëve të tjerë. Prindërit i kishin besuar Anjëzës sigurinë e fëmijës, duke e paguar dhe për punën që bënte, por ajo ushtronte dhunë vazhdimisht ndaj fëmijës. Menjëherë pas video-skandalit të publikuar në media, ku shfaqet dhuna ndaj fëmijës së mitur, Policia e Tiranës ka arrestuar administratoren e kopshtit privat. Së bashku më administratoren policia ka arrestuar dhe punonjësit e tjerë të kopshtit privat që ajo drejtonte.

Shabani, ish-moderatore e emisionit “Alarm” u mor në pyetje gjatë ditës së djeshme nga Policia. Ajo shfaqej në gjendje të rënduar psikologjike dhe qante pa pushim. Para policisë ajo ka akuzuar emisionin “Stop”, ku pretendon se nuk e ka shfaqur videon e plotë. Shabani pranoi se e ka dhunuar fëmijën, por videoja sipas saj nuk tregon të vërtetën.“Videoja është prerë, nuk është e plotë. Unë pasi e qëlloja edhe e kam përqafuar fëmijën. Por ai përsëri nuk pushonte. Unë nuk e dija që fëmija ishte autik. Nuk më kishin thënë. Po të shihni videot e plota shihet që unë e kam puthur dhe përqafuar disa herë”, tha ajo para Policisë duke shpërthyer në lot.

Anjeza Shabani rrezikon tashmë deri në 20 vjet burg për akuzat në fjalë. Administratorja Shabani kishte marrë me qira katin e parë të një vile, duke e vënë në funksion të kopshtit privat që ajo kishte hapur. Ajo kishte të regjistruar rreth 15 fëmijë dhe kishte punësuar 2 edukatore që të kujdeseshin për ta. Siç duket ajo ka bërë dhe administratoren dhe edukatoren pasi shfaqet duke dhunuar fëmijën e mitur 3 vjeç.
Ajo e ka filluar aktivitetin rreth 13 muaj më parë, në një zonë larg qendrës së Tiranës. Ngjarja ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik, dhe paraditen e djeshme kopshti është mbyllur nga Inspektoriati Arsimit dhe është ndëshkuar me gjobë në masën e 1 milion lekëve.

Ministrja Nikolla: Akte të tilla shërbejnë që institucione e MAS të nisin inspektime për standarde

Një tjetër skandal që e thellon më shumë skandalin ku administratorja e një kopshti privat ushtronte dhunë ndaj fëmijës 3-vjeçar është pohuar nga ministrja e Arsimi, Lindita Nikolla. Gjatë një dalje publike ministrja komentoi skandalin e ndodhur në kopshtin “Diren”, duke pohuar se kopshti ku ndodhi skandali ishte pa licence.

“Ajo që dhunonte ishte administratorja e një institucioni që ishte fantazmë, që do të thotë që nuk është i licencuar”, tha ministrja. Administratorja e kopshtit Anjeza Shabani, e cila u arrestua pas publikimit të video-skandalit, ku shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës 3-vjeç, e kishte hapur kopshtin prej 13 muajsh. Kopshti kishte të regjistruar 15 fëmijë dhe dy edukatore që kujdeseshin për ta.

Edhe pse pa licence administratorja Shabani e kishte reklamuar gjatë gjithë kohës në media. Lidhur me aktivitetin e këtij kopshti ministrja tha se nuk kishte marrë asnjëherë miratimin e institucioneve shtetërore.
Gjithashtu në vijim të komentimit të skandalit ministrja Nikolla shprehet se akte të tilla( referuar skandalit), duhet të shërbejnë që institucionet dhe MAS të nisin inspektime për standarde.

Lidhur me zbulimin e vendeve të tilla ministra shprehet se është e pamundur të zbulohen nga inspektorët, pasi aktivitetin e ushtrojnë në ambiente private. “Sigurisht ne nuk mund të trokasim përpara çdo porte që qëndron e mbyllur në një mjedis privat në pallat apo diku tjetër. Ne do të ushtrojmë kontroll në të gjitha institucionet private”, deklaroi ministrja.

Po ashtu nga ana e saj i’u kërkua prindërve bashkëpunimin për inspektimin e standardeve. “Pa iu shmangur asnjë përgjegjësie që ka Ministria, Inspektoriati për të kryer inspektimin e standardeve, kërkojmë bashkëpunimin e prindërve për të denoncuar dhe që të kërkojnë bazën ligjore para se të lidhin kontratat me këto institucione”, theksoi Nikolla. Pas deklaratave të ministres dhe skandalit të publikuar në media ku shfaqej dhuna e një fëmijë 3 vjeç, ka reaguar dhe deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. Bregu reagoi lidhur me administrimin e arsimit parashkollor në Tiranë, nga ana e institucioneve përkatëse. Gjatë periudhës 16-21 mars të vitit të kaluar, sipas Bregut u inspektuan 96 kopshte nga të cilat rezultuan se 77 prej tyre të ishin pa leje.

Gjithashtu Bregu tha se 48 kopshte janë të regjistruar në QKR, dhe se pjesa më e madhe e tyre nuk plotësojnë kushtet. Dy ndër kriteret kryesore për të licencuar një subjekt si institucion arsimor parashkollor janë ambientet e përshtatshme dhe edukatorët të kenë diplomë të sistemit “Bachelor” të arsimit parauniversitar. Pas denoncimit të dhunës ndaj fëmijës, kopshti “Diren” është mbyllur nga Inspektoriati Arsmit dhe është ndëshkuar me gjobë në masën e 1 milion lekëve.

Asnjë prej prindërve nuk i ka çuar fëmijët gjatë ditës së djeshme. As edukatorët nuk janë paraqitur në punë. Ndërsa një grup inspektorësh të Ministrisë së Arsimit kanë qenë që në orët e para të mëngjesit për të sekuestruar regjistra e dokumente të tjerë, që përdorte ky kopsht privat.

Babai i fëmijës dhunuar: Në atë kopsht janë dhunuar dhe fëmijë të tjerë.

Fakte të reja janë publikuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni investigativ “Stop”, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj fëmijës 3 vjeç, në një kopsht privat në Sauk te Tiranës. Në një intervistë të publikuar mbrëmë babai i fëmijës ka rrëfyer se 6 orë pas dhunës së ushtruar nga administratorja e kopshtit, fëmija është shfaqur i tronditur, ku qante dhe godiste veten.

“Komplet si familje ishim shumë të shokuar, nuk ju besonim syve pavarësisht se ishim të përgatitur që kishte një material për t’u paraqitur. Ishte një “shok” për ne. Fëmija im ka përjetuar një dhunë që nuk ma merr mendja që as në kampin e Aushvicit nuk mund të ndodhi diçka e tillë. Unë kam ardhur të denoncoj dhe një rast tjetër, se çfarë pasojash ka krijuar ajo dhunë ku dalin të goditurat që ka marrë fëmija. Ju keni parë videon ku fëmija im dridhet, në orën 2 apo 3 të mëngjesit, pasi është regjistruar materiali në datën 14”.

Gjithashtu babai i fëmijës rrëfen se gjatë ditës kur është dhunuar fëmija ka përjetuar momente të vështira. “Është marrë nga nëna në momentin që është zgjuar, dhe regjistrimi është bërë nga unë si baba, ku e kemi çuar në ambientet e dhomës pritjes dhe i kemi ndezur televizionin me muzikë, me kukulla dhe nuk po qetësohej. Ulërinte dhe hidhej duke goditur kokën duke manifestuar dhunën që ai ka përjetuar”, shprehet ai.

Babai i fëmijës ka dhe një apel për prindërit e tjerë që të kenë kujdes ku i dërgojnë fëmijët e tyre.

“Ndjehem fajtor vetëm për arsyen se e kam çuar në atë kopsht dhe i bej apel të gjithë prindërve të mos dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte jo të sigurta. Shumica nga ne kur çojmë makinën në servis i rrimë tek koka si një vlerë materiale dhe jo si një vlerë njerëzore nga puna dhe nga jeta. I lemë fëmijët në kopsht dhe ikim, pastaj i marrim pasdite dhe kaq. Dëshira ime më e madhe do të ishte që këto fakte dhunë të mos ishin vërtetuar dhe dyshimet e mia të binin që fëmija im të mos përjetonte këtë dhunë”, deklaron babai.

Ai kërkon që drejtësia të vihet në vend duke shpjeguar arsyen e publikimit të videos dhe denoncimin e rasteve të tjera të dhunës në atë kopsht. “Drejtësia duhet të vendoset. Unë e bëra këtë që fëmijët e tjerë të mos u dhunonin në atë kopsht sepse aty janë dhunuar dhe fëmijë të tjerë më përpara. Aty janë dhunuar dhe nga edukatorja që ka qenë më përpara. Nuk dua të jap emër sepse nuk jam i autorizuar të jap emër dhe mbiemër, që fëmijët me inicialet S, B, T dhe një vajzë tjetër. Janë dhunuar dhe më shumë se kaq, madje një moment kur kemi parë videon thuhet aty: Cili po rrihet? Unë kërkoj një dënim sa më të ashpër për atë femër sepse nuk është thjesht një dhunë. Është një dhunë psikologjike, traumatike dhe unë nuk e di nëse fëmija do bëhet më. Ajo ishte një dhunë e shënuar në 2 orë sepse fëmija im shkonte vetëm 3 orë në kopsht dhe imagjino se çfarë ka ndodhur aty për 6 muaj me radhë”, rrëfen babai i fëmijës 3 vjeç.

Ngjarja e publikuar dy ditë më parë pati një ndjeshmëri të lartë të opinionit publik, në veçanti mes përdoruesve të rrjeteve sociale, të cilët dënuan ushtrimin e dhunës nga administratorja e kopshtit, Anjeza Shabani, e cila është ndaluar nga policia. /Shekulli/Telegrafi/

Exit mobile version