Telegrafi

Rrahu 3-vjeçaren në kopsht, arrestohet edukatorja në Shqipëri

Majlinda Dehima, edukatorja që rrahu 3-vjeçaren është vënë në prangat e policisë pasditen e kësaj të enjteje. Ndaj saj rëndon akuza për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Ndërkohë, nisur nga fakti që pas këtij skandali u pa se kopshti privat “Stinët” ishte i palicensuar, Policia njofton se ka nisur kontrollet për të parandaluar raste të tilla të ngjashme.

“Në vazhdim të veprimeve të thelluara hetimore në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një 3-vjeçareje në një kopsht privat, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”,  dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Kjo shtetase dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në një kopsht privat, ku punonte si edukatore.

Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopshte e shkolla private, Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

Policia e Shtetit fton prindërit, mediat e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit e keqtrajtimit të fëmijëve në kopështe, çerdhe e shkolla, duke ju garantuar për reagim të shpejtë e profesional”, njofton Policia.

Dehima punonte si edukatore dhe pas denoncimit të prindërve në një emision investigativ u vu re se ka keqtrajtuar një të mitur, ku nga dhuna asaj iu thye këmba. Për më tepër, 3-vjeçarja u la pa ndihmë mjekësore për më shumë se 5 orë.