Site icon Telegrafi

Rrahmani tregon jetën e tij për mediat italiane: Nga lufta, te futbolli, Liga e Parë e Kosovës dhe Napoli

Amir Rrahmani ka folur për jetën e tij dhe karrierën për kanalin zyrtar të Napolit.

Ai ka folur fillimisht për luftën, pastaj edhe për karrierën e tij, deri te arritja në Serie A. Rrahmani ka treguar për largimin drejt Irlandës shkaku i luftës.

“Kam lindur në Prishtinë, Kosovë, më 24 shkurt 1994. Kur isha i vogël nuk e kisha pasion futbollin sepse kishte gjëra të tjera më të rëndësishme. Ne shkuam në Irlandë dhe ishim atje rreth një vit dhe më pas kur mbaroi lufta u kthyem përsëri në Kosovë”.

“Nga ai moment babai më bëri të filloj të luaj futboll. Kam filluar të luaj që në moshën 8-vjeçare në një shkollë futbolli të quajtur Kosova e Prishtinës. Nuk mbaj mend shumë, por kujtimet e mia ishin të gjitha të bukura, nuk mendoja për luftën”.

“Nuk kam humbur asnjë nga familja ime dhe më është dukur interesante të filloj diçka që nuk e kam bërë më parë”, ka thënë Rrahmani për fëmijërinë e tij.

Pastaj ai u ndalur për të folur se si ka shkuar karriera e ti nga Ramiz Sadiku te Dinamo e Zagrebit.

“Në moshën 17-vjeçare kam luajtur në ekipin e parë duke luajtur në kategorinë e dytë (Ramiz Sadikun), por në atë moshë ishte shumë gjë e madhe të luaja me ekipin e parë”.

“Pas një viti shkova të luaj në një ekip të elitës së futbollit në Kosovë (Drenica) dhe pas 2 vitesh shkova në Kroaci ku qëndrova 4 vjet dhe më pas mbërrita në Itali”, nënvizoi Rrahmani.

Tutje Rrahmani thotë se ka pasur fat në futboll, pasi që ka takuar shokë të mirë edhe pse ndërrimi i vendeve nuk është i lehtë.

“Gjatë gjithë kohës isha i ndarë mes futbollit dhe shkollës, shkoja mirë në shkollë. Në futboll kam pasur shumë miq që ndoshta nuk i kam pasur në shkollë dhe jam shumë i lumtur që shkoi mirë sepse nuk ishte e lehtë të ndryshoje gjithmonë ekipe, vende dhe kultura të ndryshme”.

“Kështu që shkoi mirë. Kur isha më i ri nuk kisha synime, pasi për të lindurit në Kosovë nuk është e lehtë. Pak kanë dalë dhe jemi me fat”, deklaroi ai.

Sipas kapitenit të Kosovës, barta e fanellës së vendit të tij është privilegj dhe ndjenjë e pashpjeguar.

“Pas 5 vitesh që UEFA dhe FIFA e kanë pranuar Kosovën dhe i kanë lejuar të luajnë gara ndërkombëtare, unë kam qenë ndër të parët që kam pranuar sepse kam qenë në Shqipëri më parë. Pra është një privilegj për mua dhe një gjë e pashpjegueshme”, deklaroi Rrahmani.

Në fund ai u ndal te eksperiencat e tij italiane me Veronën dhe Napolin, ku këtë sezon po luan me shumë sukses.

“Pas vitit në Verona, pas 6 muajsh mora ofertën nga Napoli të cilën e pranova menjëherë dhe pas një viti erdha këtu në Napoli dhe jam shumë i lumtur sepse është një ekip që luan gjithmonë në nivele të larta dhe gjithmonë përpiqet të fitojë çdo ndeshje, apo garë”.

“Napoli si qytet është shumë i bukur, ka shumë gjëra për të bërë apo vizituar. Më pëlqen shumë të zbuloj historitë e qytetit dhe të shkuarën. Është një qytet i mrekullueshëm. Dua të vazhdoj kështu sepse është vetëm fillimi i Amir Rrahmanit. Mendoj se mund të jap edhe më shumë dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”, përfundoi mbrojtësi.

Rrahmani pritet ta drejtojë Kosovën në dy ndeshjet e radhës me Burkina Fason dhe Zvicrën. /Telegrafi/

Exit mobile version