Site icon Telegrafi

Rrahje para konsullatës turke në Bruksel, lëndohen shumë persona

Në përleshjet e ashpra të enjten para ndërtesës së konsullatës turke në Bruksel, në të cilat morën pjesë përkrahësit dhe kundërshtarët e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan janë lënduar shumë persona, njoftoi policia belge.

Zëdhënësja e policisë së Brukselit, Ilse van de Keere ka thënë për AFP se personat e lënduar janë dërguar në polici, por nuk ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të personave të lënduar.

Kryeministri belg, Charles Michel sonte ka dënuar trazirat në rrjetin Twitter.

“Qeveria belge angazhohet për zero tolerancë ndaj trazirave në lidhje me referendumin turk. Dënoj ashpër dhunën para konsullatës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter.

Trazirat vijnë në momentin kur turqit, të cilët jetojnë në Belgjikë, mund të votojnë nga data 27 mars deri më 9 prill në konsullatat në Bruksel dhe Antverpen për referendumin për zgjerimin e kompetencave të presidentit turk, i cili mbahet më 16 prill.

Firat, agjencia e lajmeve e afërt me separatistët kurdë në Turqi, ka raportuar se tre persona me origjinë kurdë, të cilët kishin ardhur për të votuar, janë therur me thikë në këto trazira, për të cilat agjencia pohon se janë përgjegjës përkrahësit e AKP-së, partisë konservatore në pushtet në Turqi.

Exit mobile version