Këngëtari i njohur nga Shqipëria, Alban Skënderaj, ka qenë i ftuar për të performuar në edicionin e sivjetmë të “Beer Fest”, në Prishtinë.
Mirëpo në një moment, ai u detyrua të ndalte performancën e tij, kjo pasi një rrahje masive mes dy-tre personave u shënua në publik.
Në një video ekskluzive të siguruar nga Telegrafi, nga të përfshirët shihet teksa godet me tavolinën e improvizuar personin tjetër.
Në ato momente ndërhyn sigurimi, ndërkohë që këngëtari nga Shqipëria e ndrerpret interpretimin e tij.
Teksa muzika ndalet, Albani dëgjohet teksa u bën thirrje personave që të ndalen duke thënë vazhdimisht “Stop”.
Rastin për Telegrafin, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 22:30 kemi pranuar informatën për një përleshje në mes të disa personave në afërsi të Pallatit te Rinisë, saktësisht në një event që po mbahet në atë zonë, ku sipas informatave fillestare dy persona janë lënduar. Menjëherë rastit i janë përgjigjur njësitet policore, të cilat kanë vënë situatën nën kontroll. Lidhur me këtë rast, policia ka shoqëruar në stacion gjashtë persona. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/