Tre persona të lënduar dhe dhjetëra të ndaluar nga policia për sulmin ndaj qytetarëve dhe demolimin e disa autobusëve në Bit Pazar, nga ana e tifo grupit të Vardarit “Komitët”.
Të zhgënjyer humbja me rezultat të thellë ndaj ekipit spanjoll, njëri nga tifozët e Vardarit ka tentuar që me dhunë të merr kontrollin e autobusit duke u përplasur kështu me një autobus tjetër. Më pas, sipas policisë, tifozët me të zbritur nga autobusi kanë filluar të sulmojnë kalimtarë të rastit dhe të demolojnë gjithçka që u ka dalë para.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup thonë se 13 të ndaluarit pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë.
“Në Stacionin policor në Bit Pazar janë marrë në pyetje 10 persona, shtatë prej të cilëve të mitur. 3 persona kanë pësuar lëndime trupore, dhe të njëjtit me rekomandim të qendrës urgjente në Shkup, janë lëshuar për kurim të mëtutjeshëm shtëpiak. Po ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit”, thanë nga SPB – Shkup.
“Të dy personat janë 15 vjeçar. Personat në fjalë kanë lëndime kryesisht të kokës. Personin e parë të cilin e trajtuam ka qenë me djegie të fytyrës dhe me lëndim të gjurit të djathtë të cilët duket se vijnë nga goditjet. Personi i dytë të cilin e kemi pranuar në klinikë gjithashtu ka qenë me lëndime të kokës dhe të fytyrës”, deklaroi Ilir Hasani, Drejtor i Qendrës Urgjente Spitalore./Telegrafi/