Në maj të vitit të kaluar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës është ushtruar dhunë fizike ndaj aktorit Veton Osmani. Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përmes një reagimi të nënshkruar nga kryetari Mehmet Breznica, atëherë ka thënë se faktet për sulmin fizik ndaj aktorit të njohur Veton Osmani, janë të deponuara në Policinë e Kosovës.
Ata që sulmuan aktorin Osmani, ishin aktori Shkelzen Veseli e drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Agon Myftari, të cilëve edhe u është shqiptuar dënim nga Gjykata. Telegrafi ka siguruar ekskluzivisht dokumentin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila shpall fajtorë aktorët e lartpërmendur për dhunën e ushtruar ndaj Osmanit.
Mirëpo, këta të fundit, të kontaktuar nga Telegrafi, sërish mohojnë të kenë bërë një gjë të tillë. Madje thonë se një dokument të tillë as që e kanë parë dhe se nuk iu ka arritur në shtëpi!
“Nuk dua të komentoj fjalë koti të njerëzve të cilët përmes këtij rasti të arrijnë tjera qëllime”, ka thënë për Telegrafin, Agon Myftari.
Telegrafi ka arritur të kontaktojë edhe me Shkelzen Veselin, por i njëjti ka refuzuar të prononcohet për këtë rast.
Ndërkohë, Veton Osmani që sipas aktgjykimit të mësipërm është viktimë, ka thënë për Telegrafin se është ndjerë i dëmtuar pas këtij rasti.
“Nga sulmi i ndodhur jam dëmtuar si moralisht ashtu edhe fizikisht. Duhet të merret parasysh se unë jam një ndër aktorët më të vjetër në TKK dhe të ndodh një gjë e tillë nga persona shumë më të rinj se unë, e të cilët fatkeqësisht mbajnë pozita udhëheqëse, është plotësisht e papranueshme. Kjo ka ndikuar shumë në dinjitetin tim dhe në vullnetin tim që të vazhdoj të kontribuoj në punën time. Dënimi i dhënë nga Gjykata kompetente për sulmuesit është tepër i butë, mirëpo prapëseprapë është tregues i fajësisë së tyre lidhur me këtë rast. Natyrisht, pas vendimit gjyqësor unë do të vazhdoj me padi civile për kompensim dëmi, si ndaj sulmuesve ashtu edhe ndaj institucionit ku ata kryejnë funksione udhëheqëse”, thotë Osmani për Telegrafin.
Sipas tij, është i çuditshëm dhe frustrues qëndrimi i organeve udhëheqëse të TKK-së dhe atyre të Ministrisë së Kulturës meqë posa ka filluar procedura gjyqësore, personat e gjykuar është dashur të suspendohen nga puna.
“Ndërkaq, pas vendimit gjyqësor nuk ekziston asnjë arsye që ata të jenë në punët që kryejnë! Arsyetimi se ata janë dënuar nga gjykata dhe se tani çdo gjë është në rregull është arsyetim qesharak! Gjykata vendos për përgjegjësi penale dhe jep sanksionin penal, ndërkaq përgjegjësia disiplinore mbetet të konstatohet nga organet kompetente të TKK-së dhe Ministrisë. Personat e tillë nuk mund të ushtrojnë veprimtari publike. Këtë e thotë edhe ligji. Si mendoni, pas sulmit të tillë unë mund të vazhdoj të punoj me ta? Duket e qartë se dikush nga Ministria po i mbështet dhe kjo tregon se çfarë morali dhe profesionalizmi kanë institucionet tona! Unë nuk do të ndalem përderisa e drejta të mos vihet në vend. Jeta ime dhe aktivitetet profesionale janë çrregulluar plotësisht. Personi që më ka sulmuar është drejtor artistik i TKK-së dhe ai do të duhej të vendoste për gati të gjitha çështjet që ndërlidhen aktivitetin tim në Teatër. Paramendojeni se si mund të funksionojë kjo marrëdhënie tani?”, ka shtuar Veton Osmani.
Ndërkohë, Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar ka thënë për Telegrafin se “ka dëgjuar për rastin por vendim nga Gjykata ende nuk ka parë”.
“Në maj të vitit të kaluar kur ka ndodhur ngjarja, unë nuk kam qenë fare në teatër, por jam informuar perms mediave për atë se çfarë ka ndodh. Deri tani nuk na ka ardhur ende ndonjë vendim i Gjykatës lidhur me dënimin ndaj aktorëve. Nëse vjen, ne si këshill drejtues do të mblidhemi për të marrë një vendim. Si rast e quaj si rast të dënueshëm, pasi është sjellje jashtë rregullave të TKK-së dhe e patolerueshme për një punë të devotshme të aktorit që gjithmonë duhet të jetë shembull për publikun”, ka thënë Berisha.
Ndërkohë, Telegrafi ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Kulturës, të cilët në përgjigjen e tyre kanë thënë se janë të njohur me rastin.
“MKRS ka pranuar një ankesë nga ana e aktorit Veton Osmani, si i dëmtuar, i cili na ka njoftuar se gjykata themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim me të cilin drejtori artistik i Teatrit Kombëtar z. Agon Myftari dhe aktori i ansamblit rezident të TKK-së z. Shkelzen Veseli, janë shpallur fajtorë për veprën penale lëndim trupor ndaj aktorit Veton Osmani – aktor i ansambli rezident të TKK-së. Ankesën në fjalë, MKRS sipas proceduarës e ka përcjell tek Këshilli Drejtues i TKK-së, nga i cili ka kërkuar që ta shqyrtojë konform legjislacionit në fuqi dhe të ndërmarr veprimet e mëtutjeshme në përputhje mandatin dhe ligjet e aplikueshme”, ka qenë përgjigja e Ministrisë së Kulturës.
Ndërkohë, aktori i njohur, Veton Osmani, shpreson për ndërmarrje të masave kundër sulmuesve, akt ky që la shije të keqe në artin e Kosovës në përgjithësi. /Telegrafi/