Site icon Telegrafi

Rrahin brutalisht postierin në rrugët e Brooklynit, sulmuesit arratisen me motoçikleta – policia kërkon ndihmën e qytetarëve në kapjen e tyre

Dy motoçiklistë janë filmuar duke sulmuar brutalisht një postier në rrugët e frekuentuara të Brooklyn, e pamjet janë publikuar nga policia e New Yorkut.

57-vjeçari, punonjës i postës USPS ishte duke lëvizur nëpër trotuar me karrocën e tij plotë letra, kur një person që ishte në motoçikletë u ndal para tij dhe pa ndonjë arsye filloi ta grushtojë, transmeton Telegrafi.

Sipas policisë gjithçka filloi pas një grindje verbale që kishin pasur dyshja disa minuta më herët, ku motoçiklisti pretendonte se postieri i kishte zënë rrugën me karrocën e tij me letra.

Megjithatë ai kishte vazhduar rrugëtimin e tij duke tentuar ta injoroj, por motoçiklisti i ishte afruar dhe kishte filluar ta godasë. Sikur kjo të mos mjaftonte, atij i kishte dalë në ndihmë një mik duke u bërë kështu dy për ta rrahur postierin.

E po të mos ishin disa kalimtarë rasti që ndërhynë për ta qetësuar situatën, postieri tani sigurisht se do të ishte në spital nga plagët e marra.

Në anën tjetër, policia është vënë në kërkim të motoçiklistëve që ishin arratisur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Madje po kërkojnë ndihmën e qytetarëve në identifikimin e tyre – ku çfarëdo informacioni që do të jepnin qytetarët do t’ua lehtësonte punën në kapjen e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version