Telegrafi

Rrahim Pacolli negocion me Shpend Ahmetin, për përkahjen e AKR-së në balotazh

Rrahim Pacollit, i cili është afarist në fushën e sigurimeve, i është premtuar nga VV-ja se do të jetë nënkryetar i Komunës së Prishtinës, në rast se Shpend Ahmeti fiton më 19 nëntor.

Kreu aktual i Komunës, mbrëmë, në përpjekje për të marrë sa më shumë mbështetje për përballjen e tij të vështirë me Arban Abrashin, i ka premtuar Pacollit se do ta bëjë zëvendës të tij nëse e mbështet më 19 nëntor.

Burime të Gazetës Express thonë se në takimin e mbrëmshëm mes Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut me Rrahim Pacollin, kanë diskutuar se si mund ta ndihmojë AKR-ja në garën e balotazhit më 19 nëntor.

Të njëjtat burime saktësojnë se Ahmeti, i zënë në vështirësi nga përballja e vështirë me Arban Abrashin e LDK-së, ka qenë dorëlirë në ofertat për Rrahim Pacollin, biznesmenin e njohur.

Burimet thanë se Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje janë të gatshme t’ia japin postin e Nënkryetarit të Komunës Rrahim Pacollit.

Rrahimi, sipas gjitha gjasave, do të jetë Nënkryetar i Komunës nëse fiton Shpendi”, tha burimi i gazetës.

Në një prononcim për Indeksonline, Pacolli ka konfirmuar se ka pasur një takim me Ahmetin, por, sipas tij, ende nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Sipas tij, ata kanë biseduar për interesat e Prishtinës në të ardhmen, duke thënë se nëse arrijnë marrëveshje ata do shkojnë bashkë në balotazh.

“Nuk është arritur ende asnjë marrëveshje, por mundet të arrihet në ditët e ardhshme. Kemi biseduar për interesat e Prishtinës në të ardhmen. Nuk është arritur ende, por nëse arrihet do të shkojmë bashkë në balotazh”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa i pyetur nëse ata kanë zhvilluar takime edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Pacolli ka thënë se ai nuk e di nëse partia ka pasur takime me LDK-në, mirëpo vet ai thotë se është takuar vetëm me Shpend Ahmetin

Në anën tjetër, zyrtarisht AKR nuk është pozicionuar se kë do ta mbështes me 19 nëntor.