Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.Z. (1994), i cili gjendet nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 25 janar 2019, pasi në vazhdimësi kishte rrahur të dashurën e tij.
Sipas aktakuzës, më 24 janar 2019, në Kufcë të Gjilanit, i pandehuri me veprimet e tij, me dashje dhe në vazhdimësi, ka përdorur dhunë psikike dhe fizike ndaj të dashurës së tij, A.I., ashtu që pasi me veturën e tij arrijnë në dalje të fshatit, i njëjti me një shufër metalike e godet në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.
Gjithashtu, më 25 janar 2019, duke udhëtuar në drejtim të Prishtinës, i pandehuri përsëri përdorë dhunë fizike ndaj saj, duke e goditur disa herë me grushte në kokë dhe trup, ku pasi arrijnë në Prishtinë, e dëmtuara arrin të largohet nga i pandehuri, me ç’rast edhe e paraqet rastin në polici dhe për shkak të lëndimeve të marra detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në QKUK, në Prishtinë, e më pas edhe në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën penale, e cila i vihet në barrë dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.