Telegrafi

Rozana me dedikim për xhaxhanë e ndjere, Françesk Radi

Këngëtarja dhe aktorja, Rozana Radi, e ka përkujtuar xhaxhanë e saj, Françesk Radi.

Në një postim në rrjetet sociale, artistja i është referuar duartrokitjeve në sallën e Pallatit të Koncerteve, dedikuar Françesk Radit në kuadër të festivalit të këngës.

“I shikon? Duartrokasin për ty salla e pallatit të koncerteve, e njëjta sallë ku ty të ngulën thikën pas shpine disa herë”.

“Është e njëjta salle ku publiku të duartrokiste e këndonte bashkë me ty. Mbrëmë dëgjuam muzikën tënde ‘Biçikletën’ që ti e doje aq shumë, por nuk patëm fatin të të dëgjonim zërin”.

“Jo se nuk e kemi zërin tënd, por sepse ti nuk do lejoje kurrë të këndoje në një CD në pallatin e koncerteve”.

“Franko, është nata e Krishtlindjes dhe është viti i parë që ti nuk do të jesh më me kitarën tende në tavolinën tonë të madhe”.

“Është e vështirë, është aq e vështirë sa tek shkruaj më mblidhet një lëmsh në grykë”.

“Por, ne me zërin që na dridhet do këndojmë këngët e tua dhe do falënderojmë Zotin që na bekoi me një njeri si ti në jetën tonë. Gëzuar Krishtlindjen Franko. Të duam”, ka shkruar Rozana në postimin e saj në Instagram. /Telegrafi/