Presidenti Hassan Rouhani tha sot se Irani nuk përbën rrezik për asnjë vend tjetër dhe se dëshiron ndërveprimin me pjesën tjetër të botës – pikëpamje këto të kundërta me ato të liderit suprem të vendit, raporton Reuters.
Ayatollah Ali Khamenei, autoriteti më i lartë i Iranit, ka përjashtuar afrimin e mëtejshëm me Shtetet e Bashkuara pas një marrëveshjeje mbi aktivitetin bërthamor të diskutueshëm të Iranit që përfundoi me izolim politik dhe ekonomik shumëvjeçar të vendit.
Marrëveshja e arritur me gjashtë fuqitë e mëdha në vitin 2015, çoi në frenimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve. Qeveria e Rouhanit e miratoi marrëveshjen, ndërsa aleatët e Khameneit e kundërshtuan atë.
“Ne jemi në favor të një politike të moderuar … Irani nuk është një kërcënim për asnjë vend … Teherani kërkon ndërveprim me botën, me vendet fqinje”, tha Rouhani, në një mbledhje për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Teknologjisë Nukleare.