Gjermania, si kryesuese e Bashkimit Evropian, sot vendosi diskutimin për zgjerimin e rendit të ditës në seancën e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, të kryesuar nga ministri gjerman për Evropë, Michael Roth, informon “Deutsche Welle” në gjuhën maqedonase.
“Unë do t’i informoj kolegët e mi për procesin e zgjerimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në fillim të vitit, ne vendosëm të fillojmë negociatat me të dy vendet. Interesi themelor i BE-së është të fillojë negociatat me Konferencën ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Roth këtë mëngjes para fillimit të takimit virtual të ministrave.
Sipas “Deutsche Welle”, Roth tha se shpresonte që të gjitha vendet anëtare të bien dakord për këtë qëllim dhe të jenë të gatshëm të punojnë në mënyrë pragmatike dhe solidare për ta arritur atë.
“Zgjerimi nuk duhet të mbahet peng i kërkesave bilaterale të vendeve të caktuara anëtare”, tha Roth, duke aluduar në bllokadën procesit nga Bullgaria.
Bullgari ka njoftuar se nuk ka ndërmend të lejojë fillimin e negociatave. Ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zakharieva sot përsëri deklaroi se “për Maqedoninë do të ketë vend në BE kur ajo të jetë gati”./Telegrafi/