Telegrafi

Roth: Marrëveshja Maqedoni-Greqi, dëshmi se mund të tejkalohen edhe dallimet më të mëdha

“Marrëveshja historike mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit, tregon se është e mundur të tejkalohen edhe dallimet më të thella dypalëshe, përderisa rritet besimi dhe ka vullnet politik”, ka thënë sot sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth.

Ai në një njoftim, para pjesëmarrjes në takimin e shefave të diplomacive të konferencës për Ballkanin Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit në Londër, tha se stabiliteti dhe zhvillimi demokratik i vendeve të rajonit është në interes jo vetëm të Gjermanisë, por edhe të Evropës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mbledhja është mundësi për vendet e rajonit që ta përmirësojnë bashkëpunimin rajonal dhe me këtë të arrihet afrim drejt BE-së”, ka thënë Roth.

Ai ka shtuar se me qëllim që të arrihet rritje e besimit, jo vetëm mes politikanëve, por edhe mes qytetarëve, Qeveria e Gjermanisë mbështet punën e Bashkësisë rajonale së të rinjve në kuadër të procesit të Berlinit./Telegrafi/