Telegrafi

Roth: Marrëveshja e Prespës duhet të respektohet nga çdo qeveri e ardhshme e Greqisë

Marrëveshja e Prespës e nënshkruar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është një hap historik në politikën e jashtme të qeverisë greke dhe duhet të respektohet nga të gjitha administratat e ardhshme, tha për gazetën greke “Kathimerini” zëvendësministri për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth.

Sipas tij, marrëveshja solli stabilitet në rajon. Diplomati gjerman bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me gazetarët e huaj në ministrinë pas një thirrjeje për zgjedhje të parakohshme nga kryeministri grek Alexis Tsipras, kur partia e tij SYRIZA u mund në zgjedhjet evropiane.

“Përfundimisht, besojmë se çdo qeveri që do të vijë në Greqi do të përballet me përgjegjësitë e saj në shërbim të paqes, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Roth, duke shpjeguar se optimizmi i tij nuk është i lidhur me ndonjë rezultat konkret të zgjedhjeve të ardhshme të vendit./Telegrafi/