Telegrafi

Rooney çon United në krye

Sulmuesi anglez ishte i vetmi që shënoi në këtë ndeshje, një herë në pjesën e parë dhe tre herë në pjesën e dytë të takimit të vetëm të vikendit në Premier që u zhvillua në Old Trafford.

Pas një goditje të fuqishme të Paul Scholes në minutën e tetë të lojës, portieri i Hull Cityt, Bo Myhill, i cili u zgjodh lojtari më i mirë i javës së kaluar nga mediat angleze, largoi topin por vetëm deri te këmbët e Rooney dhe i cili nuk fali nga afërsia.

Tre golat e pjesës së dytë për Manchesterin erdhën në 10 minutat e fundit të takimit. Rooney së pari dyfishoi epërsinë në minutën e 83-të, para se ta trefishojë atë me anë të një goli me kokë tre minuta më pas (86’).

Por nuk mjaftoi kaq dhe njëshi i Manchester United shënoi edhe golin e katërt të tij në minutat shtesë të ndeshjes për t’i sjellë fitoren e lartë dhe kreun e tabelës ekipit të tij.

United tash mbledh 50 pikë, dy më shumë se Arsenal dhe Chelsea, që kanë një respektivisht dy ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/