Site icon Telegrafi

Me Ronaldon e përjashtuar, Juventusi mposht Valencian në Mestalla

Pjanic, Matuidi (Foto: Twitter/JuventusFC)

Juventusi e ka nisur me fitore edicionin e ri në Ligën e Kampionëve duke e mposhtur Valencian në Mestalla me rezultat 2-0.

Bianconerët e nisën fuqishëm takimin duke krijuar disa raste të njëpasnjëshme, mirëpo goli mungoi.

Në minutën e 29-të ndodhi ajo që nuk ishte pritur. Në debutimin e tij me fanellën bardhezi në garën prestigjioze, Cristiano Ronaldo u përjashtua me karton të kuq për shkak të dyshimit për sjellje josportive.

https://twitter.com/SportJunkie8/status/1042497147516735488

Përkundër inferioritetit numerik, Bianconerët shfrytëzuan taktikat e tyre për ta diktuar rrjedhën e takimit. Pas një shtylle të goditur nga Joao Cancelo, ndaj tij ndërhyri në mënyrë të palejuar Daniel Parejo dhe gjyqtari akordoi penallti.

Miralem Pjanic e mori përgjegjësinë dhe mesfushori boshnjak ishte i saktë nga pika e bardhë (44′).

Me epërsi prej një goli për mysafirët, skuadrat shkuan në pushim. Ndërsa në gjysmën e dytë, bardhezinjtë sërish e gjetën rrjetën.

Jeison Murillo shkaktoi një tjetër penallti, ndërsa Miralem Pjanic ishte përsëri i saktë në ekzekutimin e njëmbëdhjetëmetërshit (51′).

Në minutat shtesë të takimit u akordua edhe një penallti për vendasit, mirëpo Wojciech Szczesny e mbrojti goditjen e Daniel Parejos nga pika e bardhë.

Me këtë triumf, Juventusi e nis mbarë sezonin e ri në garën më të madhe evropiane për klube duke arkëtuar tri pikët e para.

Ndeshja tjetër e këtij grupi është zhvilluar ndërmjet Young Boys dhe Manchester Unitedit. Djajtë e Kuq fituan me rezultat 3-0. /Telegrafi/

Exit mobile version