Cristiano Ronaldo ka postuar një mesazh në rrjetet sociale pasi u kritikua për vrapimin e tij direkt në tunel apo zhveshtore të stadiumit pas barazimit zhgënjyes të Manchester Unitedit me Burnley.
Ronaldo nuk ishte titullar në Turf Moor, por u përdor si zëvendësues në pjesën e dytë pasi United u ndal me barazim 1-1 jashtë shtëpisë.
Portugezi ishte i nervozuar dhe nuk shkoi pas ndeshjes për t’i duartrokitur tifozët e Unitedit që kishin udhëtuar dhe në vend të kësaj u drejtua drejt zhveshtores.
Në fillim të këtij sezoni, ish-mbrojtësi i United, Gary Neville, kritikoi Ronaldon për rastin e njëjtë që e kishte bërë pas barazimit 1-1 me Newcastle.
Edhe ish-sulmuesi i Rangers, Ally McCoist, është shprehur gjithashtu i zhgënjyer me portugezin, ashtu sikurse edhe ish-portieri i Newcastle United, Shay Given.
36-vjeçari u kritikua edhe nga tifozët e Djajve të Kuq për veprimin e tij, por tashmë ka ardhur reagimi nga Ronaldo.
Ronaldo duket se i adresoi në mënyrë indirekte ato kritika të mërkurën mbrëma, duke postuar në llogarinë e tij në Twitter një imazh të tij duke përshëndetur një mbështetës të ri të Unitedit.
“Fëmijët janë dhe do të jenë gjithmonë gjëja më e mirë që bota ka për të ofruar, dhe ne duhet t’i mbrojmë ata me çdo kusht. Mbështetësit janë dhe do të jenë gjithmonë më të mirët në futboll dhe ne duhet të respektojmë gjithçka që ata përballen dhe durojnë për klubet e tyre”, ka shkruar Ronaldo.
Children are and will always be the best thing the world has to offer, and we must protect them at all costs. Supporters are and will always be the best in football, and we must respect everything they face and endure for their clubs.🙌🏽👊🏽 pic.twitter.com/DZ7wcseTHd
— Cristiano Ronaldo (@Cristiano) February 9, 2022
Unitedi tani është i pesti në Ligën Premier pas barazimit – një pikë pas West Hamit, i cili mundi Watfordin me rezultat 1-0 të martën.
Skuadra e Ralf Rangnick kthehet në aksion kundër Southampton në Old Trafford të shtunën pasdite. /Telegrafi/