Sulmuesi i Manchester United, Cristiano Ronaldo, ka thyer heshtjen pas intervistës së tij shpërthyese me Piers Morgan.
Sulmuesi portugez bëri një sërë pretendimesh të çuditshme në një bisedë kokë më kokë me personazhin kontrovers televiziv. Në mesin e një numri të madh kritikash që ai dërgoi ndaj punëdhënësve të tij aktualë, ish-sulmuesi i Real Madridit pretendoi se ai ishte “tradhtuar” nga Djajtë e Kuq, ndërsa ai nuk kishte “respekt” për Erik ten Hag.
Tani, në stërvitje me kombëtaren portugeze përpara Kupës së Botës, Ronaldo ka lëshuar një deklaratë të shkurtër në rrjetet sociale dhe ka refuzuar të përfshihet në bisedat rreth intervistës kontroverse.
Në vend të kësaj, ai vendosi të përqendrohej te shokët e tij të skuadrës portugeze ndërsa përgatitjet e tyre për Botërorin e ardhshëm në Katar kishin nisur.
Duke postuar në Instagram një mesazh për shokët e tij, ai shkroi: “Fokus total dhe absolut në punën e ekipit kombëtar. Grupi i bashkuar, drejt një objektivi: realizimi i ëndrrës së të gjithë portugezëve!”.
Ronaldo sigurisht që pritet të jetë një figurë kyçe në kampin portugez përpara Kupës së Botës, derisa do të synojë ta fitojnë trofeun e vetëm që i mungon në karrierën e tij të ndritur. /Telegrafi/