Një video e nëntë viteve më parë e publikuar së fundmi, e tregon futbollistin Cristiano Ronaldo të relaksuar në një pishinë hoteli në Las Vegas, video e cila thuhet se është xhiruar vetëm pak orë në kohën pasi një modele amerikane pohon se u përdhunua nga ai.
Videoja thuhet se është filmuar më 13 qershor 2009, ku në të njëjtën ditë Kathryn Mayorga pohon se ajo u sulmua seksualisht nga futbollisti në suitën e hotelit, në orët e hershme të mëngjesit, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.
Ronaldo, 24 vjeç në atë kohë, mund të shihet duke u relaksuar në një pishinë, teksa më pas merr disa rreze dielli në “Palms Place Hotel” në Las Vegas.
Xhirimi ka dalë pas një raporti në mediat spanjolle se Ronaldo pretendon se ishte ish-klubi i tij i futbollit, Real Madrid, ata që “trilluan” historinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje prej 287.000 funtesh me Mayorgan, në këmbim të heshtjes së saj.
Futbollisti fluturoi në Lisbonë të dielën nga baza e tij e re në Itali për një takim me avokatët e tij, deklaroi tabloidi kryesor i Portugalisë.
Ai më vonë u pa duke shijuar një mbrëmje në “Sky Sky”, në kryeqytetin portugez me të dashurën spanjolle, Georgina Rodriguez.
“Correio da Manha” njoftoi të mërkurën se strategjia e mbrojtjes së Ronaldos kundër akuzave do të përfshijë kërkesën që ish-klubi i tij e kishte mbështetur atë që të nënshkruante një marrëveshje për të siguruar që rasti të mos hynte në gjyq, për të mbrojtur në këtë formë imazhin e vet.
Zonja Mayorga pretendon se ajo arriti një zgjidhje prej 287.000 funtesh me Ronaldon në vitin 2010, në këmbim të heshtjes së saj para se akuza origjinale e policisë të hidhej poshtë.
Futbollisti 33-vjeçar i Juventusit është duke u përballur me një hetim të ri të policisë amerikane në lidhje me pretendimet se Ronaldo e përdhunoi Mayorgan në një hotel në Las Vegas në vitin 2009, pasi e ftoi atë në suitën e tij nën çati.
Nëna e Ronaldos, Dolores Aveiro publikoi një mesazh të ri në mbështetje të djalit të saj, në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
Ajo ka publikuar një fotografi, ku shfaqet duket pushuar në një divan, ndërsa ka shkruar në mbishkrimin e saj: “Edhe kur jemi larg, jam me ty. Gjithçka do të bëhet mirë. Zoti është i madh”.
Tabloidi spanjoll “Correio da Manha”, duke cituar burime “të afërta me rastin”, tha: “Një nga argumentet kryesore që ylli do të përdorë do të jetë se ai ishte nën presion për nënshkrimin e marrëveshjes për të paguar gruan amerikane”.
“Futbollisti sapo kishte nënshkruar një kontratë fitimprurëse me Real Madridin dhe klubi ishin të shqetësuar për imazhin e tyre”.
“Shqetësimi i tyre u rrit kur, gjatë pushimeve të tij në ShBA, Ronaldo ishte qendra e vëmendjes dhe u fotografua një natë me Paris Hiltonin”.
“Investimi i bërë nga Real Madridi ishte i lartë dhe megjithëse ata kurrë nuk e dyshuan cilësinë e lojtarit, klubi ishte i shqetësuar rreth pasojave të sjelljes së tij jashtë fushës”.
Gazeta këmbënguli se Ronaldo ishte kundër idesë së nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje të heshtur para se Real Madrid të përfshihej.
Nuk kishte përgjigje të menjëhershme nga Real Madrid ndaj pretendimeve, të cilat u përsëritën të mërkurën në Itali ku Ronaldo luan tani.
Një punonjës i Real Madridit tha të mërkurën sot se askush nga zyra e shtypit nuk ishte në dispozicion.
Babai i katër fëmijëve, Cristiano, i cili i ka përshkruar akuzat e Mayorgas si “lajm i rremë” dhe e përshkroi përdhunimin si një “krim të neveritshëm”, ishte fotografuar i lumtur dhe i relaksuar me të dashurën e tij të hënën, në tarracën e famshme të tavanit në hotelin ‘Tivoli’ të Lisbonës.
Ai udhëtoi në kryeqytetin portugez të dielën me avion privat, pavarësisht se ishte lënë jashtë skuadrës për ndeshjet e Portugalisë kundër Polonisë të enjten dhe Skocisë të dielën.
Loja e ardhshme e tij në klub është më 20 tetor, në Genoa.
Policia e Las Vegasit ka thënë se kanë për qëllim të vënë në dyshim Cristianon për pretendimet e znj. Mayorga për sulmin seksual. Ajo iu afrua forcave të rendit në gusht, duke kërkuar që rasti të rihapet. /Telegrafi/