Telegrafi

Ronaldo paguan 30 milionë euro gjobë për të shmangur burgun pas evazionit fiskal

Cristiano Ronaldo (Getty Images)

Ylli portugez i Real Madridit, Cristiano Ronaldo si duket ka zgjedhur të paguajë gjobë të majme për të shmangur burgun pas problemeve me taksa në Spanjë.

Çështja e evazionit fiskal duket se i ka kushtuar shtrenjtë Cristiano Ronaldos, që për të shmangur burgun, ka zgjedhur të paguajë plot 30 milionë euro gjobë.

Lajmi është dhënë nga ‘El Confidencial’, sipas së cilës ylli portugez është duke kërkuar të gjejë një akord me agjencinë e kontrollit të pasurisë dhe prokurorisë për të ndërprerë procedimin fiskal.

Lexo po ashtu Ronaldo paditet për evazion fiskal

Ronaldo ka pranuar që të marrë përsipër fajësinë për katër vepra të pretenduara, duke paguar një shumë prej 14.7 milionë euro (për të drejtat e imazhit në periudhën 2011-2014).

Ronaldo ka disa vite që po has në probleme me autoritetet spanjolle (Getty Images)

Portugezi gjithashtu do të paguajë edhe një gjobë prej 30 milionë euro, duke shmangur kërkesën për 2 vjet burg, përcjell Supersport.

Lexo po ashtu Ronaldo publikon dokumentet që shfajëson veten nga ikja e taksave (Foto)

Por, ndërkohë përfaqësuesit ligjorë të Ronaldos janë duke negociuar për të paguar vetëm gjobën prej 30 milionë eurosh dhe me shumë gjasa e gjithë çështja do të mbyllet përpara finaleve të Botërorit.

Sipas të njëjtit burim, Ronaldo ka kërkuar edhe përfshirjen e Realit në këtë çështje, por këta të fundit kanë përjashtuar kategorikisht, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e rritjes së pagës për të ndihmuar futbollistin për të përballuar gjobën.