Telegrafi

Ronaldo me kërkesë të re për qasje në dokumentet e Juventusit

La Gazzetta Dello Sport dhe Repubblica raportojnë se Cristiano Ronaldo bëri një kërkesë të re për të marrë dokumentet në lidhje me hetimin financiar që përfshin Juventusin.

Kërkesa e parë e portugezit drejtuar Prokurorit të Torinos u refuzua muajin e kaluar. Superylli 37-vjeçar dëshiron të shqyrtojë dokumentet në lidhje me hetimin përmes avokatëve të tij pasi Bianconerët ende i kanë borxh pothuajse 20 milionë euro, pretendojnë raportimet në Itali.

Hetuesit besojnë se pesë herë fituesi i Topit të Artë dhe lojtarët e tjerë të Juventusit nuk hoqën dorë nga paga e katër muajve, por hoqën dorë vetëm nga paga e një muaji, duke marrë pjesën tjetër të parave nën tavolinë (në të zezë).

Juventus nuk regjistroi borxhe me lojtarët e tyre në pasqyrat e tyre financiare, kështu që ata janë nën hetim për kontabilitet të supozuar të rremë, ndër të tjera.

Siç shpjegoi Gazzetta në fillim të këtij muaji, Prokurori i Torinos mund të lejojë Ronaldon të marrë dokumentet në lidhje me hetimin nëse pranon të sqarojë pozicionin e tij, duke shpjeguar se cilat dokumente ka firmosur dhe nëse atij dhe lojtarëve të tjerë i janë dhënë para nën tavolinë.

Bordi Mbikëqyrës i Juventusit konfirmoi në fillim të këtij muaji se avokatët e sulmuesit i kishin kërkuar Prokurorit të Torinos dokumentet në lidhje me hetimin penal në vazhdim për të kuptuar më mirë pozicionin e tij, duke qenë kreditor i klubit. /Telegrafi/