Në një intervistë që ende nuk është publikuar, Cristiano Ronaldo ka zbuluar se ku është ndjerë më mirë gjatë një karriere të pasur në të cilën ka fituar titullin e një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave.
Futbollisti portugez dha indikacione të qarta se ku e sheh veten në të ardhmen. Nuk është sekret që ditët më të mira të karrierës së tij ai i kaloi në Real Madrid dhe tani këtë e ka konfirmuar në një intervistë me gazetarin spanjoll Eduardo Aguirre.
Intervista me Aguirren nuk do të publikohet deri të hënën e ardhshme, por pjesë të saj tashmë po qarkullojnë në rrjetet sociale, prej të cilave më së shumti tërhoqi vëmendjen komenti për Real Madridin.
Ronaldo ka paralajmëruar një rikthim të mundshëm në Madrid kur të përfundojë karrierën e tij, e cila aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite dhe po i vjen fundi së shpejti.
“Kthimi në Santiago Bernabeu? Ndoshta pas përfundimit të karrierës sime mund të arrijmë një marrëveshje. Ishte vendi ku unë isha më i lumtur në aspektin futbollistik”, deklaroi Ronaldo.
Sigurisht që një koment i tillë ka gëzuar tifozët e Realit të cilët nuk e fshehin krenarinë dhe dëshirën që portugezi të kthehet në Madrid në rrjetet sociale.
Ka edhe nga ata që besojnë se Ronaldo mund t’i thotë lamtumirë Realit në fushë dhe jo si punonjës klubi në një nga pozicionet në hierarki. /Telegrafi/