Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo ka thënë se ai kurrë nuk e ka pritur që do të bëhet lojtari i parë që shënon 100 gola në konkurrencën e klubeve në UEFA.
Cristiano Ronaldo ka arritur rekord historik në sajë të një dy-golëshi në fitoren 2-1 ndaj Bayern Munich në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën.
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit ndihet i nderuar nga arritje, ku në një intervistë për faqen zyrtare të klubit ka theksuar se është një nder i madh dhe falënderon klubin dhe bashkëlojtarët për këtë arritje.
“Është një nder shumë i madh për të shënuar 100 gola në Evropë”, ka thënë fillimisht Ronaldo.
“Kjo ishte një ditë e veçantë me një fitore me të vërtetë të rëndësishme dhe unë jam shumë i lumtur për këtë”, përcjell Telegrafi.
“Jam mirënjohës për Real Madridin për mundësinë që të kem një karrierë të shkëlqyer në këtë klub, dhe gjithashtu për të shokët e skuadrës”.
“Kur kam filluar të shënoj gola në Ligën e Kampionëve, kurrë nuk mendova se do të thyej këtë rekord”.
“Është një nder për mua, sepse është një numër shumë i vështirë. Unë jam i kënaqur”, përfundoi sulmuesi portugez. /Telegrafi/