Cristiano Ronaldo ka bërë një dedikim të përzemërt për Mbretëreshën Elizabeth II, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme (e enjte) në moshën 96-vjeçare.
Pallati Buckingham njoftoi për vdekjen e Madhërisë së saj në një deklaratë rreth orës 18:30, pasi kohëve të fundit kishte probleme me shëndetin.
Që nga njoftimi për vdekjen, janë bërë një mori shkrimesh nga të gjitha anët e globit, me superyllin e Manchester United, që bëri po ashtu një postim në rrjete sociale.
“Shtatë vite të karrierës sime i kam luajtur në Premier League, duke e bërë këtë sezonin tim të tetë që jetoj në Angli”.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, kam ndjerë dashurinë e përjetshme të Mbretërisë së Bashkuar për Mbretëreshën e saj dhe sa e rëndësishme ishte dhe do të jetë përgjithmonë Madhëria e saj për popullin britanik”.
“Vajtoj për këtë humbje të pazëvendësueshme me vendin që kam mësuar ta quaj shtëpi. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjen mbretërore”, tha më tej ai.
Ronaldo ishte në skuadrën e United për ndeshjen e Europa League kundër Real Sociedad, e cila u zhvillua menjëherë pas njoftimit të Buckingham Palace.
UEFA mori vendimin për të lejuar zhvillimin e ndeshjes pasi shumë tifozë kishin udhëtuar tashmë në Old Trafford me disa që kishin zënë tashmë vendet e tyre brenda stadiumit.
U mbajt një minutë heshtje para fillimit me të dy grupet e lojtarëve që mbanin shirita të zinj në krahë si shenjë respekti për Mbretëreshën, e cila shërbeu si udhëheqëse e vendit të saj për më shumë se 70 vjet. /Telegrafi/