Futbollisti i njohur brazilian Ronaldinho do të marrë pjesë në programin “Survivor” në Turqi dhe këtë e bëri të ditur vetë biznesmeni i njohur Acun Ilicali.
Survivor Turkey është versioni turk i spektaklit të famshëm televiziv “Survivor”, ku luhen një sërë lojërash mes konkurrentëve aty, shkruan NTVSpor.
Tani u bë e ditur nga Ilicali se e ka ftuar Ronaldihnon që të bëhet pjesë e këtij formati dhe se ky i fundit kishte pranuar.
“E ftova Ronaldinhon të vijë në Survivor. Shyqyr Zotit e pranoi. Ai do të jetë me ne nesër në Dominika”, deklaroi moderatori i njohur turk.
Në versionin turk të këtij programi skuadrat e Acun Ilicali dhe Sercan Yildirim do të përballen me një ndeshje interesante në episodin e radhës.
Futbollisti me famë botërore do të jetë në skuadrën e Acun Ilıcalı, bëjnë të ditur mediet turke.
Ronaldinho, njihet si një ndër futbollistët më të mirë në botë ku karrieren e tij e ka zhvilluar në ekipe sikurse në Gremio, Paris Saint-Germain, Barcelonë, Milan, Flamengo, Atletico Minerio, Queretaro dhe Fluminense.
Për herë të fundit, Ronaldinho kishte luajtur futboll në vitin 2015 derisa vendosi të pensionohej në moshën 37-vjeçare. /Telegrafi/